Hetimet disamujore çuan policinë greke në zbërthimin e një organizate kriminale, ku në pranga kanë rënë 6 persona, 4 grekë dhe 2 shqiptar, ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Pire, Agious Anargirous dhe Athinë, u arrestuan 4 shtetas grekë të moshës 20-58 vjeç, shtetasi shqiptar Arben Gjorgji 44 vjeç nga Pusteci dhe Majlinda Gjorgji 41 vjeç nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në kërkim u shpall një grek 50-vjeçar.
Sipas mediave greke, grupi kriminal shfrytëzonte një banesë në Kaminia të Pireut për magazinimin e drogës.
Gjatë kontrolleve të policisë në banesën që përdorte grupi, por edhe në banesat dhe gjatë kontrolleve fizike të të arrestuarve, u gjetën dhe sekuestruan: 12.7 kg heroinë, 10.7 kg marijuanë, 60 gram kokainë, 141 tableta XANAX dhe HIPNOSEDON, 500 ml Metadon, 1.8 kg përzierës heroine, 2 pistoleta të kalibrit 9 dhe 8 mm dhe 5 fishekë të këtyre kalibrave, 2500 euro, 1 automjet, 2 peshore elektronike, 8 celularë, mjete për përzierjen dhe paketimin e heroinës dhe shuma prej 2.500 euro, e ardhur nga trafiku i drogës.