GREQI- Katër shqiptarë u arrestuan në Athinë pasi u kapën me një ngarkesë prej 560 kilogram kanabis. Banda e shqiptarëve, me drejtues një 36- vjeçar funksiononte në zonat e Corinthit dhe Attikës.
Policia greke bën me dije se hetimet për këtë bandë kishin nisur prej muajsh dhe përtej ngarkesës së kanabisit e cila në treg kapte vlerën e 840 mijë eurove, shqiptarëve i janë sekuestruar edhe 1 640 euro, tre automjete si dhe nëntë celularë.
Nuk bëhen me dije identitetet e të arrestuarve, por ishte drejtuesi i bandës, 36- vjeçari i cili kishte për detyrë të gjente drogën, ta transportonte drejt Athinës dhe të furnizonte më pas trafikantët në Attica si dhe në Corinth. Gjithashtu Policia ka vënë në pranga dhe një 16- vjeçar grek, anëtar i bandës së shqiptarëve.
Kujtojmë se po sot në Kallpaq të Janinës një shqiptar me emrin Vangjel Bashari nga Gjirokastra u kap me 171 kg kanabis.
Komente
