GREQI - Një shqiptar është vënë në pranga në Igumenicë pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike së bashku me një polic 41-vjeçar, oficer i anti-drogës. Sipas mediave greke, punonjësi i policisë i identifikuar si Konstantinos Nakos po transportonte me mjetin e patrullimit 100 kg kanabis indian.
Kolegët e tij kishin marrë informacione për ngarkesat që mbante makina e patrullës dhe i bënë shenjë të ndalonte. Por oficeri grek, i cili kishte dhe shqiptarin pasagjer, nuk u bind dhe vijoi më tej me shpejtësi. Më pas humbi kontrollin dhe u përplas me tre vetura të tjera të parkuara duke shkaktuar dëme materiale.
Drejtuesi i mjetit shërbente në Prokurorinë e Narkotikëve në Igumenicë dhe u vu në pranga së bashku me shqiptarin, Arben Murto edhe ky 41 vjeç, nga fshati Shalës i Konispolit. Pas kontrollit brenda mjetit zyrtar u gjetën 19 pako kanabis i papërpunuar me peshë totale 102 kilogram e 670 gram.
Në momentin e arrestimit, 41-vjeçari ishte në detyrë patrullimi së bashku me një kryepolic 50-vjeçar, Dimitrio Oikonomou, i cili shërbente në Prokurori dhe u arrestua më vonë.
Kur po kryhej operacioni, ky i fundit duhej të ishte në krye të detyrës, por gjendej në një kafene të zonës së Thesprotisë, madje kishte lënë pistoletën e shërbimit në makinën me të cilën kolegu shpërndante drogën.
Report TV ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes së Igumenicë ku mjeti i policit grek u përplas me 3 automjete të tjera. Oficeri grek shpërndante drogë me këtë mjet së bashku me shqiptarin Arben Murto.
Nga pamjet duken dëmet që i janë shkaktuar mjeteve të tjera të parkuara anës rrugës me të cilat është përplasur mjeti i patrullës.
Brenda këtij mjeti policia gjeti rreth 100 kg lëndë kanabis që kolegu i tyre e shpërndante së bashku me 41-vjeçarin shqiptar.