Pas 23 ditësh, shqiptari Pano Ruçi ka vendosur ta ndalojë grevën e urisë, pasi autoritetet greke kanë pranuar të gjitha kërkesat e tij.
Pano Ruçi kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të djalit të tij, Denis Ruçi, si dhe kryerjen e ekzaminimeve të specializuara për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të gjatë tensioni dhe përpjekjesh të vazhdueshme nga ana e familjes për të zbardhur rrethanat e ngjarjes që çoi në vdekjen e të riut.
“Drita mund ta mposhtë errësirën. Sot është dita e fitores së të mirës mbi të keqen. Një person me të gjithë të drejtën në anën e tij mund të mposhtë mekanizmat më të pamëshirshëm”, tha avokatja e tij, Zoe Konstantopoulou.
Në deklaratat e tij më herët sot, ai kishte bërë thirrje për transparencë të plotë në procesin e testeve toksikologjike, pasi të jetë dhënë drita jeshile që ato të kryhen.
Ai shtoi se i përjetoi 23 ditët e grevës së urisë "me shumë dhimbje dhe lodhje. Në të njëjtën kohë, jam i duruar dhe kjo mbështetje nga njerëzit më bën të duroj dhe të shpresoj. Derisa të gjitha kërkesat e mia të marrin përgjigje, unë do të jem këtu”.
Djali i Pano Ruçit, Denis Ruçi 22 vjeç, është një nga 57 viktimat që humbën jetën në aksidentin tragjik hekurudhor në Tempi të Greqisë. Pano Ruçi kërkon zhvarrimin e trupit të djalit të tij.
Komente
