Festa e një ditëlindjeje në qelitë e burgut të Janinës, vuri në lëvizje autoritetet greke që mundën të zbulojnë se ata që merrnin pjesë në këtë darkë ishin pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës, ku koka e grupit dyshohet se ishte një shqiptar.
Për çmontimin e organizatës u krye një operacion i koordinuar policor në Janinë, Igumenicë dhe Korfuz, dhe u vunë në prnga 8 persona, mes tyre 3 oficerë burgu të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Ata akuzohen për grup kriminal, drogë, pastrim parash, armë, ryshfet, shkelje të konfidencialitetit zyrtar, shkelje të detyrës dhe shkelje të ligjeve të emigracionit dhe futje të celularëve në institucionet korrektuese. Sipas policisë greke një shqiptar i burgosur me pseudonimin ‘Modi’ që drejtonte organizatën, koordinonte tregtimin dhe trafikun e drogës nga brenda qelisë, dhe përfitonte të ardhurat nga shitja, skeme që funksiononte me nëndrejtorit të burgut të Janinës dhe dy punonjësve të tjerë.
Nga hetimi u zbulua se zëvendësdrejtori lejoi përdorimin e celularëve dhe njoftoi të burgosurin shqiptar për kontrollet e pashmangshme në qeli. Po ashtu janë evidentuar 7 raste të trafikut të drogës, 39 raste të pastrimit të parave dhe 3 shkelje të konfidencialitetit zyrtar.
Policia sekuestroi gjatë operacionit mbi 620 mijë euro, 18 celularë, armë të ftohta, granata etj. Sipas të dhënave të policisë greke kreu i organizatës, nga data prilli 2023 deri më 3 qershor 2024, kaloi në llogarinë personale në burg 50 mijë euro, të siguruara nga shitja e drogës dhe pastrimi i parave, duke bërë edhe një jetë luksi brenda qelisë.
Mediat greke kanë publikuar edhe bisedat e përgjuara mes anëtarëve të grupit kriminal, ku më gjuhe të koduar ata flasin për shitjen dhe të ardhurat e drogës, ndërsa për t’u mbrojtur morën masa kundër vëzhgimit.