Ka nisur me tensione dhe përplasje procesi në Gjykatën e Selanikut në Greqi, për 2 të pandehurit e akuzuar për vrasjen e shqiptares Gjeorgjia Murati, mes tyre edhe ish-partneri i saj.
Krimi makabër ndodhi natën e Vitit të Ri 2024, teksa autorët u përpoqën të fshihnin edhe krimin e masakrimit të 41-vjeçares.
Para seancës, ka qenë vëllai i viktimës i cili është konfrontuar dhe u përpoq të sulmonte të pandehurit kur u dërguan në Gjykatë, raporton media “Voria.gr”.
Trupi i gruas u gjet një javë më vonë në një zonë pyjore pranë Monopigados. Partneri 39-vjeçar i viktimës dhe shoku i tij 34-vjeçar u ulën në bankën e të akuzuarve për vrasje, ndërprerje të shtatzënisë dhe grabitje, si dhe armëmbajtje pa leje dhe përdorim.
Gjatë dërgimit të dy të pandehurve në sallën e gjyqit, vëllai i Gjeorgjisë ka “shpërthyer” ndaj tyre ndërsa të afërmit dhe policia ndërhynë për ta larguar.
Ndërkohë, babai i gruas shtatzënë të vrarë dhe të afërmit e tjerë kërkuan drejtësi dhe ndalimin e dhunës ndaj grave.
Ndërsa ditën e djeshme, më 17 nëntor, Gjeorgjia do të festonte ditëlindjen. Krimi dyshohet se ka pasur motiv grabitjen e 41-vjeçares, e cila kishte edhe një vajzë 13-vjeçe.
Në raportin e mjekësisë ligjore flitet për plagë me thikë në qafë që i mori jetën 41-vjeçares, ndërsa menjëherë pas krimit dy të pandehurit e vendosën trupin e pajetë të saj në një valixhe dhe e transportuan në një zonë pyjore.
Për disa ditë, 39-vjeçari kërkonte Gjeorgjinë në studiot televizive, ndërsa dërgonte edhe mesazhe nga celulari i saj në përpjekje për të çorientuar autoritetet në hetime.
Ai pas arrestimit dhe hetimeve bëri përgjegjës shokun e tij, që në fakt akuzohet se e dërgoi vetë për grabitje të banesës ku ndodhej viktima. Policia siguroi edhe pamje filmike ku të pandheurit hedhin sende dhe fshehin gjurmët e krimit.