Një ngjarje e rëndë trondit Athinën mëngjesin e 6 majit, ku një 24-vjeçar, djali i një biznesmeni të njohur, u bë viktimë e një rrëmbimi.
Katër persona, mes tyre edhe Ivan Greko - një nga emrat më të njohur në skenën greke të muzikës trap (zhaner muzike) -janë arrestuar si pjesë e një grupi të organizuar që kishte për qëllim zhvatjen e një shume prej 50 mijë eurosh.
Sipas autoriteteve greke, tre nga autorët e sulmuan të riun pranë një garazhi në zonën e Hymettus ndërsa e plagosën në gjymtyrët e poshtme me një objekt të mprehtë.
Më pas nën kërcënimin e vdekjkes viktima u fut në një makinë dhe u dërgua në Saronidë, në një udhëtim që autoritetet e përshkruajnë si “udhëtim torture”.
Gjatë rrugës, 24-vjeçari u dhunua sistematikisht me mjete të ndryshme - përfshirë thika dhe kaçavida - ndërsa rrëmbyesit i kërkuan pagesën në para të gatshme dhe dorëzimin e një motoçiklete BMW me vlerë të konsiderueshme 25000 euro.
Në Saronidë, grupit iu bashkua edhe një bashkëpunëtor i katërt, i cili mbërriti me motor dhe i armatosur, duke shtuar presionin dhe kërcënimet. Kulmi i dhunës ndodhi në një plazh të shkretë, ku autorët tentuan t’i prisnin gishtat viktimës me një prerës metalik, por nuk ia dolën për shkak të rezistencës së tij.
Pas pesë orësh në duart e rrëmbyesve, 24-vjeçari u detyrua të telefononte miqtë për të mbledhur shumën e kërkuar. Megjithatë, gjatë rrugës për në Glyfada, ai arriti të arratiset dhe të njoftojë një mik, çka çoi në një reagim të shpejtë të policisë.
Më 22 maj, autoritetet greke ndërmorën një operacion të gjerë në rajonin e Atikës, ku arrestuan të katër personat e përfshirë. Hetimet zbuluan se grupi kishte vepruar në mënyrë të organizuar dhe kishte përdorur metoda tipike të ashtuquajturit “rrëmbim tigri” – një teknikë kriminale që konsiston në presion psikologjik dhe dhunë fizike për të detyruar viktimën të bashkëpunojë, pa ngritur dyshime tek autoritetet.
Të arrestuarit ishin tashmë të njohur për policinë, ndërsa Ivan Greko rezulton të jetë përfshirë më parë në çështje që lidhen me kërcënime dhe shkelje të kodit penal ushtarak. Një tjetër anëtar i grupit, 33 vjeç, ka një të kaluar kriminale të rëndë - përfshirë një vrasje me paramendim në vitin 2014 dhe një arratisje nga burgu në vitin 2017.
Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuza për 11 vepra penale, përfshirë rrëmbim, krijim organizate kriminale, dhunë, armëmbajtje pa leje, falsifikim dhe kundërshtim ndaj forcave të rendit. Të pandehurit kanë kërkuar afat për të dhënë deklarimet e tyre para gjykatës.
Komente
