Kosova & Rajoni

Greqi/ Zbulohen 1.1 ton kanabis dhe arsenal armësh! Në pranga 6 shqiptarë, mes tyre edhe ‘koka’ e grupit kriminal (FOTO+VIDEO)

27 Shtator, 10:24| Përditesimi: 27 Shtator, 21:56

  • Share

Greqi - Një operacion i policisë greke në bashkëpunim me forcat speciale EKAM, ka zbuluar një sasi prej 1.1 ton kanabis bashkë më arsenal armësh.

Sipas mediave online gjatë këtij operacioni në pranga kanë rënë edhe gjashtë persona, mes tyre edhe gra.

Grupi kriminal kishte kultivuar drogë në Greqi dhe kishte arritur të nxirrte prodhimin, ndërkohë që tregtonte edhe kokainë dhe droga të tjera sintetike. Operacioni i policisë u zhvillua në zona të ndryshme të Athinës dhe Arkadias.

Kreu i grupi kriminal ishte 39-vjeçari shqiptar, Fatjon Prendi ndërsa pas tij në hierarki vinte 36-vjeçari tjetër Elson Ndreca gjithashtu shqiptar. Si bashkëpunëtorë të tyre në ruajtje dhe magazinimin e drogës, parave, celularëvë she transportin e kreut të grupit, u vunë në pranga dhe 35-vjeçarja Brisejda Cami, 73-vjeçarja Pashke Gega dhe 35-vjeçarja Zoje Ndoj.

Në pranga gjatë operacionit ra edhe 50-vjeçari shqiptar, Arben Mashi të cilit ju gjet dhe sekuestrua një thikë, ndërkohë që rezultoi se jetonte në mënyrë të paligjshme në Greqi.

Gjatë operacionit u sekuestruan nga policia greke 1 ton e 161 kg marijuanë, 1640 rrënjë marijuane, 4.3 gram kokainë, 3.5 gram ketaminë, 10 gram kristal methamfetaminë MDMA, 9 tabela ECSTASY, nga shitja e të cilave parashikohej një fitim prej 8 milionë euro.

Efektivët gjithashtu gjetën dhe sekuestruan edhe 2 pistoleta, 1 Kallashnikov, 1 granatë, 134 fishekë, 1 thikë, 4 peshore elektronike, 3 automjete, 17 celularë, 12.250 euro false, 120 euro, 1900 lekë, 70 paund, 22 dollarë amerikanë, 10 dollarë kanadezë dhe 20 franga zviceriane.

Sipas burimeve policore, 39-vjecari Fatjon Prendi rezulton me precedentë penalë në Greqi për tentativë vrasje dhe grabitje në bashkëpunim dhe ndodhej në masën detyrim paraqitje, ndërsa 50-vjecari Arben Mashi rezulton me precedentë penalë për organizatë kriminale, drogë e armë si dhe shkelje të ligjit mbi emigrantët.

Ora 21:46
Kush është shqiptari që drejtonte grupin e trafikut të drogës në Greqi! Zbulohet miqësia e Fatjon Prendit me Alfons Ndocin, të dënuarin që u vra në burgun grek

1759002818_fatjonprendi.jpg

Fatjon Prendi

Një operacion i policisë greke në bashkëpunim me forcat speciale EKAM, ka zbuluar një sasi tepër te madhe droge në Greqi bashkë më arsenal armësh, duke çuar në arrestimin e 6 burrave dhe grave shqiptare.

Është siguruar foto e një prej të arrestuarve, Fatjon Prendi. Ai njihet si kreu i grupi kriminal, ndërsa pas tij në hierarki vinte 36-vjeçari Elson Ndreca.

Miqësia e Fatjon Prendit me Alfons Ndocin

Fatjon Prendi, i arrestuar së fundmi në Greqi si kreu i një grupi kriminal që u kap me mbi 1 ton drogë dhe arsenal armësh, rezulton të ketë qenë mik i ngushtë me Alfons Ndocin, 35-vjeçarin shqiptar të vrarë në burgun e sigurisë së lartë në Koridhalo në qershor 2024. Burime nga hetimet greke kanë zbuluar se Prendi dhe Ndoci kanë pasur një lidhje të afërt miqësore, ndërkohë që të dy konsiderohen emra të njohur për autoritetet greke, për përfshirje në aktivitet kriminal të strukturuar dhe të rrezikshëm.

Alfons Ndoci kishte një profil të lartë kriminal. Në vitin 2014, gjatë një grabitjeje në një dyqan në Elefsina, ai vrau me gjakftohtësi pronarin e dyqanit, vetëm sepse guxoi të kundërshtonte grabitjen. Në vitin 2018, ai u arratis nga një mjet transporti të të burgosurve në portin e Pireut, së bashku me tre të dënuar të tjerë, gjatë transferimit nga Athina drejt Kretës. Pas një operacioni të forcave speciale greke, ai u kap sërish disa ditë më vonë.

Në qershor të vitit 2023, Ndoci u arrestua bashkë me shtetasin Gerald Jaho, pas një ndjekjeje policore në Athinë. Dyshja u kap me dy pistoleta, një sasi marijuane dhe mbi 16 mijë euro, së bashku me kartëmonedha të huaja. Ata u pikasën në një qendër tregtare nga biznesmeni Tonin Preka, i cili i identifikoi si personat që i kishin grabitur 40 mijë euro në Mykonos. Ndoci tentoi të arratisej sërish, duke shkaktuar një përplasje me disa automjete, por u arrestua në vend. Në atë kohë, ai kishte mbi vete një urdhër arresti për “grabitje në bashkëpunim”, si dhe dy dënime për “armëmbajtje nga një i burgosur” dhe “vjedhje”, me një total prej tre vitesh burgim.

Zbulimi i lidhjes mes tij dhe Fatjon Prendit ngre dyshime të reja mbi shtrirjen dhe strukturën e rrjeteve kriminale shqiptare në Greqi dhe më gjerë, teksa hetimet ndaj Prendit dhe bashkëpunëtorëve të tij vijojnë intensivisht./Top Channel

Xh.K/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?