Turqia e Greqia duket se kanë bërë një hap pas në tensionet e tyre të përhershme dhe janë solidarizuar me njëra-tjetrën për zjarret që kanë rënë në dy vendet që lag Egjeu. Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias ka telefonuar homologun turk, Mevlüt Çavuşoğlu teksa janë pajtuar t’i ofrojnë ndihmë njëri-tjetrit.
Pothuajse gjysma e Greqisë është nën pushtetin e flakëve që kanë shkrumbuar mijëra hektarë tokë, shtëpi, makina. Vatrat më të mëdha të zjarrit ishin në Atikë, Evia dhe Ilia ku mijëra banorë duhej të evakuoheshin. Qytetarët u zgjuan nga frika, pasiguria, por edhe dëshpërimi duke i pushtuar. Në foto, disa njerëz mund të shihen në ujë, ndërsa të tjerët shikojnë skenën e makthit me flakët …
E si për ironi të fatit, në kohën kur po mbahen lojërat olimpike, banorët e fshatrave pranë vendit të Lojërave Olimpike të lashta në Peloponezin perëndimor, të cilët zgjodhën të mos evakuoheshin nga shtëpitë e tyre, ndihmuan ekipet e urgjencës të luftonin zjarret gjate natës.
Pas një beteje të gjatë zjarrfikësit duket se kanë shpëtuar Olimpinë e lashtë dhe thesaret e lashta janë jashtë rrezikut.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një dalje për mediat u shpreh se e keqja ende nuk ka kaluar, pasi priten erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit. Mitsotakis u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë urdhrat e evakuimit dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Më shumë se 150 zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë që nga e marta, edhe në Turqinë fqinje ende vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri. Turqia prej më shumë se 10 ditësh është në luftë me flakët. Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve raportoi se 196 nga 208 zjarret që u shfaqen mes 28 korrikut dhe 6 gushtit janë vënë nën kontroll.
Temperaturat e larta dhe erërat dyshohet të jenë shkaktarët kryesorë te zjarreve, ndonëse në Turqi disa persona janë arrestuar për zjarr vënie te qëllimshme.
Një person ka humbur jetën si pasojë e zjarreve në Greqi. Personi që ka humbur jetën është një zjarrfikës vullnetar 38-vjeçar i cili u pranua më herët në një gjendje jashtëzakonisht kritike në Spitalin e Përgjithshëm të KAT.
Sipas dëshmive të të pranishmëve, ai mori një goditje në kokë nga rënia e shtyllës së energjisë elektrike.
Zjarret në Greqi, vazhdojnë të mbeten jashtë kontrollit, të nxitura në veçanti edhe më shumë nga erërat e fuqishme.
Zjarret në Afidnes, Ippokratio Politia dhe Kryoneri kanë përfshirë shtëpitë, bizneset dhe makinat.
Ndërprerjet e energjisë po ndodhin kudo, ndërsa ka mungesa të theksuara të furnizimit me ujë.