Përballja e autoriteteve greke me zjarret ka vazhduar edhe për të tretën ditë radhazi, ndërkohë që autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e popullsisë në një ishull pranë Athinës ditën e sotme. Forcat zjarrfikëse kanë luftuar për vënien nën kontroll të flakëve pranë vendit të Lojërave Olimpike në Peloponezin perëndimor.
Temperaturat mbi 40 gradë Celsius dhe erërat e forta kanë ndezur më shumë se 150 zjarre në zona të ndryshme të vendit ditët e fundit, ndërkohë që edhe në Turqi dhe në Itali përpjekja për të shuar flakët vazhdon.
Më shumë se një duzinë fshatrash janë evakuuar në ishullin Evia që nga e marta, me rreth 85 njerëz të shpëtuar me anije nga një plazh. Ndërkohë që prej ditësh qielli në Athinë ishte errësuar.
Ndërkohë që edhe në Peleponez dy fshatra u evakuuan pasi një zjarr u ndez pranë zonës arkeologjike të Olimpiadës së lashtë. Pas një beteje gjatë gjithë natën me flakët, zjarrfikësit duket se kanë arritur të shpëtojnë vendin e Olimpit të Lashtë, me thesaret e lashta jashtë rrezikut.
Vendi, ku flaka Olimpike fillon udhëtimin e saj drejt qytetit që pret Olimpiadën moderne, është një nga atraksionet turistike më të njohura të Greqisë.
Ndërkohë që në Turqi lufta kundër zjarreve ka hyrë në ditën e 9, deri më tani, 172 zjarre janë vënë nën kontroll dhe shuarja e zjarrit në 15 pika vazhdon.
Në sajë të ndërhyrjes së trupave të zjarrfikësve në kohë u arrit që të mbrohen njësitë kryesore të termocentralit të thëngjillit Kemerkoy në pjesën jugperëndimore të vendit.
Punëtorët në termocentral dhe zonat e afërta të banimit u evakuuan përmes një anije detare të marinës ndërsa erërat e forta shtuan flakët. Ambientalistët kanë thënë se ishin të shqetësuar për ndikimin nëse zjarri përhapet në njësinë e magazinimit të thëngjillit të uzinës.
Tetë persona janë vrarë në më shumë se 174 zjarre që kanë shpërthyer javën e fundit, më të rëndat në historinë e vendit. Mijëra turq dhe turistë të huaj janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe hotelet pranë brigjeve të Egjeut dhe Mesdheut.