Kryeministri grek Mitsotakis, gazetarja Alba Malltezi

Periferi
Opinion

Greqia duhet pa kushte në krah të Shqipërisë drejt BE-së dhe pyetjeve që nuk iu përgjigjet kryeministri Mitsotakis dhe tanët

10 Janar, 14:22| Përditesimi: 10 Janar, 14:54

  • Share

Kushdo uroi e uron që 2025 të jetë një vit i mrekullueshëm, me ngjarje pozitive, me shëndet e mbarësi për individë, familje, shtete e kombësi. Por a janë vitet me ngjarjet e tyre rezultat i veprimeve dhe i mosveprimeve që ne bëjmë? Si do të jetë ky vit për ne në Shqipëri? Si do të jenë raportet me fqinjët, me Kosovën, me Bashkimin Europian e SHBA-të?

Viti 2024 u mbyll me një deklaratë të hidhur nga kryeministri i greqisë fqinje, Kyriakos Mitsotakis për ne: “Kontrollojmë shpejtësinë me të cilën Shqipëria shkon drejt BE-së”, tha në takimin ndoshta më të fundit për 2024 gjatë një përurimi rruge që do të lidhë më shpejt Shqipërinë me Selanikun. Fjalë që shkojnë kundër veprimeve që dy vendet e dy popujt bëjnë përditë për t’u afruar, ashtu si dhe vetë fakti i nisjes së rrugës bashkuese. Fjalë që shkojnë edhe kundër qëllimit të përbashkët për të qenë Shqipëria anëtare e denjë e  BE-së, që do të thotë një fqinjë, veç nga ana kulturore dhe e përkatësisë, edhe ligjërisht europiane, ligjërisht korrekte, respektuese e të drejtave të njeritu e të fqinjësisë harmonike, ashtu siç e pretendon Europa e qytetëruar.

Nga ana këtej e kufirit, pak a shumë në të njëjtat ditë, ministri ynë i jashtëm, Igli Hasani, ua “kyçi” gjithashtu gojën gazetarëve duke thënë se ““Negociatat me Greqinë ka shumë vektorë e mënyrë që ne i trajtojmë me kujdes e vëmendje maksimale. Në të gjithë këtë përpjekje prevalon interesi i qeverisë shqiptare për ta çuar sa më shpejt e sa më pranë Shqipërinë pranë BE-së duke mos lënë pas themelet e një marrëdhënie të mirë e të shëndoshë. 

Kemi pasur një mirëkuptimin dhe angazhim shumë të mirë e serioz me republikën e Greqisë në rastin konkret. Është e rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni, por punë tavoline, duke u futur në të gjithë detajet e nevojshme, por dhe duke u kujdesur që detajet të mos prishin të tërën"

 

Kyriakos Mitsotakis duket qartë që nga ana e tij e bën mirë punën e një politikani konservator, modern e ambicioz, i cili shfrytëzon çdo grimcë për të rënduar anën e peshores nga interesat e Greqisë, përfshi edhe një çështje gati banale si e Bejlerit, apo kur pretendon respektimin e të drejtës së pronës dhe të lirive të minoritetit grek në vendin tonë, dhe kështu Greqia dhe politikanët grekë vazhdojnë të na kushtëzojnë edhe në 2025 për integrimin e Shqipërisë në BE. Por e gjitha kjo është paradoksale, sepse pikërisht integrimi i Shqipërisë në BE, do të sillte vetvetiu të gjitha të mirat që Greqia pretendon nga ne. Prandaj do të duhej që dikush prej tyre të thyejë ciklin e kërcënimeve, shantazheve, të parë e riparë në dekada të tëra histori pikërisht në respekt të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe të minoritetit grek në Shqipëri.  Po a mund ta thyejë kryeministri aktual, Mitsotakis këtë traditë?

Pikësëpari, politikanët grekë ua kanë borxh këtë ndryshim vetë popullit të tyre, i cili nuk ka pse të mbajë mbi shpatulla ende një Ligj Lufte me Shqipërinë, kur 600 mijë shqiptarë janë integruar në indet e tyre me respektin e kujt, fillimisht si shërbëtorë, por sot me ambicien për të qenë të barabartë, kontribuojnë në prosperitetin e Greqisë ashtu si dhe grekët që jetojnë, punojnë e luten në Shqipëri.

Pastaj çështja e çamëve dhe Çamërisë që vazhdon të mbetet tabu’ e politikës moderne këtej dhe andej kufijve, apo ekzistenca e Ligjit rudimental të Luftës, nuk janë detaje, por janë çështje që presin zgjidhje.

Askush nuk i akuzon sot gjermanët dhe italianët, pasues të atyre gjermanëve dhe italianëve të Luftës së Dytë Botërore si bashkëpunëtorë dhe autorë, mbështetës apo bashkëpunues të lindjes së nazizmit e fashizmit. Askush nuk i pengon ata të gëzojnë sot pronat e të parëve, e të kenë varret dhe të shijojnë aromën e gurëve dhe të drurëve ku në shekuj lindën e u rilindën. Greqia mban mbi kokën e një popullsie të tërë çame, mbi fëmijët, gratë të moshuarit, mbi brezat që pasuan, jo fajin se ishin nazistë apo fashistë, por dyshimin se ndonjë prej tyre ishte bashkëpunëtor nazifashist. Ishin kohët  që ashtu si kudo në Europë, edhe në Çamërinë e atyre viteve, disa veshën uniformat e gabuara. Politikanët grekë duhet ta heqin këtë peshë në radhë të parë nga shpatullat e Greqisë e më pas të të gjithë çamëve që u dëbuan e që dhe sot e kësaj dite shohin nga larg gërmadhat e pronave dhe tokave të ttë parëve të yre në Çamëri.

Sa kohë ka që një kryeministër i Greqisë nuk jep një intervistë për një media shqiptare? Me naivitet, modesti dhe dëshirë ua kam nisur dhe unë kërkesën për një të tillë, ku do të doja shumë të përgjigjeshin direkt dhe pa komplekse si për ligjin e Luftës ende në fuqi, ashtu dhe për Çështjen Çame, por akoma heshtje. Një heshtje e pakuptimtë, demode, nga pasardhësit e baballarëve të së drejtës së fjalës dhe të demokracisë.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?