Ekonomi

Greqia hap dyert për turistët shqiptarë, nënkryetari i turoperatorëve: Kemi pak raste me COVID, ta reklamojmë vendin edhe tek vendet e tjera

21 Maj 2021, 15:22| Përditesimi: 21 Maj 2021, 16:03

  • Share

Edhe pse ende nuk është saktësuar nëse do kërkohet testi anticovid si dhe vaksinimi me një vaksinë të miratuar nga EMA, Greqia do të hap portat e sezonit turistik për shqiptarët. Marrëveshja e parë për lëvizjen e lirë të turistëve me shtetin grek në kohë pandemie, u arrit pas  takimit që ministri i turizmit Blendi Klosi zhvilloi me homologun e tij grek Haris Theocharis. Sipas Ministrisë së Turizmit, kjo marrëveshje do të sjell rimëkëmbje të shpejtë të turizmit.

Për nënkryetarin e shoqatës shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, Kliton Gërxhani marrëveshje të tilla nuk duhen bërë vetëm me Greqinë.

Greqia është shtet i rëndësishëm për ne sepse ka një masë të madhe turistësh shqiptar, që 90% e tyre vijnë për pushime këtu. Si kjo duhet të kemi shumë të ngjashme”, u shpreh Gërxhani.

Gërxhani thotë se duhet punuar për ta promovuar më shumë vendin pasi kemi raste të vogla infektimesh.

“Kemi shumë avantazh për ta promovuar këtë gjë për të takuar homologë të turizmit në rajon, në Ballkan që ti ftojmë të vijnë sepse jemi në një situatë të favorshme për ta promovuar këtë gjë”, pohon nënkryetari i ATOA.

Në prag të sezonit nënkryetari ka një propozim për qeverinë sa i takon miratimit të një kuponi me një vlerë të caktuar financiare që të shfrytëzohet nga disa kategori për pushime.

“Stimuli i tregut vendas me ‘voucher’ pushimesh, sidomos për heronjtë e kësaj pandemie që janë mjekët, infermierët, mësuesit, policët. Këtyre u duhet dhënë një ‘voucher’ për të kaluar pushimet e tyre të mbuluara nga shteti”, shprehet Gërxhani.

Nga ana tjetër Gërxhani thotë se me situatën aktuale, pritshmëritë janë që përsëri këtë vit të dominojë turizmi patriotik.

“Baza sivjet do mbetet tek turistët shqipfolës, tek tregu kosovar apo i Maqedonisë së Veriut përveç tregut të brendshëm, nuk presim ndonjë prurje të madhe të jashtëzakonshme krahasuar me vitin e kaluar. Le të themi të nxjerrim kostot e këtij viti jo të mbulojmë humbjet e vitit 2020. Shifrat më optimiste këtë vit nëse ne bëjmë 40% të shifrave të 2019, në këtë situatë që jemi”, pohon ai.

Ndërkohë Klosi ka zhvilluar një takim edhe me homologen serbe për të krijuar paketa të përbashkëta turistike.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?