Para sezonit turistik veror, Greqia ka hequr kufizimet e COVID-19 për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Për të udhëtuar drejt Greqisë, udhëtarëve u kërkohej më parë të tregonin një certifikatë vaksinimi, ose një tampon negativ.
Nga vëzhgimi i Report Tv në doganën e Kapshticës dhe të Kakavijës, udhëtarëve tanë të cilët shkojnë drejt Greqisë, nuk u është kërkuar as vaksinë anti-COVID apo certifikatë vaksinimi.
Më datë 1 maj, qeveria greke vendosi të heqë kufizimet për të udhëtuar drejt shtetit të saj, ndërsa kërkohet vetëm mbajtja e maskës. Edhe me udhëtimet me avion janë hequr kufizimet.
Greqia pret një numër të lartë vizitorësh këtë vit dhe zyrtarët parashikojnë të ardhurat të arrijnë në 80% krahasuar me nivelet e 2019-ës.
Me zbehjen e infeksioneve, restorantet dhe dyqanet me pakicë u kthyen në kapacitetin 100% nga 1 maji, duke lejuar klientët të hyjnë pa dëshmi të vaksinimit, por me maskë. Greqia ka raportuar 3,323,922 raste deri më tani dhe 29,153 vdekje nga Covid.