Kreu i Grupit të PS, Bledi Çuçi nga Kuvendi është shprehur se mazhoranca do ta mbështesë pr.deklaratën e paraqitur nga Shpëtim Idrizi ku i kërkohet qeverisë që të bëjë përpjekje që Greqia të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë.
Çuçi tha se kjo deklaratë duhet miratuar jashtë luftës politike të përditshme, ndërsa një absurd e quajti lënien e këtij ligji në fuqi nga Greqia.
“Këtë deklaratë pa asnjë koment politik, dhe jashtë luftës tonë politike të përditshme, ta miratojmë kaq të pastër. Nuk mund të jetë ndryshe sa ç’jemi përpara një anakronizmi historik që duhet më herët se sa vonë të largohet nga tryeza e marrëdhënieve të dy vendeve. Mbajtja në fuqi e këtij ligji është një absurd i madh, një atavizëm që s’u bën nder fqinjëve tonë jugor dhe nuk reflekton partneritetin dhe miqësinë që kemi. Di duhej të ishte shfuqizuar siç bëri Greqia me Italinë. Për realitetin e ri ku janë dy vendet, nuk na duhet të presim edhe 84 vite të tjera për të korrigjuar këtë budallallëk historik. Besoj se Shqipëria dhe Greqia mund të jenë shembull i shkëlqyer se si fqinjësia e mirë prodhon paqe, sigurie, mirëqenie. Kjo iniciativë mbetet një përpjekje domethënëse krejt e përligjur dhe mirëpritur që ne si mazhorancë do e mbështesim. Dua të rritet pesha e përgjegjësisë për të këtë çështje të të gjithë institucioneve greke”, tha Çuçi.
Lajmi kryesor:
Kuvendi miraton deklaratën: Greqia të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë! Idrizi: Mban gjendjen e luftës dhe sekuestron për pronat e shqiptarëve
SI.E.//ReportTv.al