Greqi

Bota

Greqia merr ndihmë nga BE-ja për të luftuar zjarret shkatërrimtare

27 Korrik, 13:36| Përditesimi: 27 Korrik, 13:44

  • Share

Greqia po lufton për të dytën ditë me radhë zjarret që kanë shkatërruar shtëpi dhe kanë shkaktuar evakuime, me ndihmën e zjarrfikësve çekë dhe avionëve italianë që pritet të mbërrijnë më vonë.

Zjarret vazhdonin të ishin aktive të dielën në mëngjes në rajonin e Peloponezit, në perëndim të kryeqytetit, si dhe në ishujt Evia dhe Kythira, ndërsa avionët dhe helikopterët rifilluan operacionet në disa pjesë të vendit që në agim.

“Pritet që sot të jetë një ditë e vështirë, me rrezik shumë të lartë për zjarr pothuajse në të gjithë territorin”, tha të dielën zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis, megjithëse shtoi se situata po përmirësohet.

Parashikuesit e motit thanë se erërat e forta që kanë përhapur flakët pritet të bien të dielën në shumicën e zonave, por paralajmëruan se ishulli turistik Kythira, me 3.600 banorë, vazhdon të përballet me kushte “shqetësuese” për shkak të erërave.

Mesazhe evakuimi u dërguan për banorët e ishullit, që ndodhet në juglindje të Peloponezit, herët në mëngjes të dielën, pasi zjarri po përhapej pa u ndalur.

“Shtëpi, kosheret e bletëve, pemë ulliri janë djegur”, tha për kanalin shtetëror ERT zëvendëskryetari i Komunës së Kythiras, Giorgos Komninos.

“Një manastir është në rrezik të drejtpërdrejtë tani”, shtoi ai, duke theksuar se gjysma e ishullit është djegur.

Raportohet se policia po forcon njësitet në Kryoneri, në veri të Athinës, nga frika se grabitësit mund të synojnë shtëpitë e braktisura nga banorët që kanë ikur për shkak të zjarrit që shpërtheu të shtunën pasdite, por që të dielën ishte kryesisht nën kontroll.

Greqia po përjeton kushte të një vale të nxehti që gati një javë, me temperatura që në shumë zona kanë kaluar 40 gradë Celsius.

Të shtunën, temperatura arriti në 45.2°C në Amfilohia, në Greqinë perëndimore.

Pritet që të nxehtit ekstrem të zbutet nga e hëna.

Muajin e kaluar, zjarret në ishullin e pestë më të madh të Greqisë, Hios, në Egjeun verior, shkatërruan 4.700 hektarë tokë, ndërsa në fillim të korrikut një zjarr në Kretë detyroi evakuimin e 5.000 personave.

Viti më shkatërrimtar për zjarret ishte 2023, kur u humbën gati 175.000 hektarë dhe pati 20 viktima./ REL

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?