Mundësia që Greqia të vendosë veton ndaj Shqipërisë për shkak të çështjes ‘Beleri’ duke penguar hapjen e kapitujve për negociatat, ka qenë në qendër të diskutimit në studion e ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ndërkohë që në Bruksel mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Deputeti i PS, Lavdrim Krashi e cilësoi sjelljen e Greqisë si tipike ballkanike dhe shtoi se edhe nëse nuk do të ishte çështja ‘Beleri’ sërish do të gjendej një tjetër shkak për të bllokuar Shqipërinë në rrugën e integrimit drejt BE.
“Edhe po të mos përdorej sot vetoja, do dilte një herë tjetër po të vazhdohej me këtë sjellje ballkanase. Sepse po të shohësh historikun, janë ballkanasit ata që gjithmonë kanë penguar njëri tjetrin. Jemi para një situate ku një qytetar shqiptar, është nën akuzë dhe një gjë kaq e thjeshtë mjafton për një shtet fqinj për t’u sjellë si ballkanas. Kjo tregon se edhe pse Greqia është anëtare e BE që prej 40 vitesh, herë pas here bën reset”- tha Krashi.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat, Luan Baçi tha se Rama e ka përgatitur një situatë i tillë me qëllim pasi nuk do që Shqipëria të avancojë drejt procesit të anëtarësimit në BE pasi sipas tij, kryeministri nuk do që të jetë nën monitorim për veprimet që bën në vend.
“Rama është i sigurt se do kthehet duarbosh sepse e ka paralajmëruar një gjë të tillë. Në mënyrë të qëllimtë e ka bërë gjithë këtë situatë, Ramës nuk i intereson një Shqipëri në BE sepse aq më i fortë do ishte kontrolli i gjithanshëm i veprimtarisë në vendin tonë. Një kryeministër si ai nuk do që të tjerët ta monitorojnë. Kryeministri grek ka të drejtë për faktin se kundërshton arrestimin e Belerit dhe mbajtjen e tij në mënyrë të padrejtë në burg pa bërë ligjin që ia lejon ligji”- tha Baçi.
Ndërsa kryetari i Lëvizjes së Re, Arjan Galdini u shpreh se mendon që prej kohësh liderët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e një projekti zvarritje, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi që këto shtete të anëtarësiohen në Bashkimin Europian pa kaluar 30 vite.
“Unë mendoj se të 6-të liderët e BP prej vitesh janë pjesë e një projekti, stërlodhje, rraskapitje, zvarritje dhe ata e dinë shumë mirë se vetë procesi i integrimit do kërkojë mbi 30 vite nëse ecën me ritmet e sotme. Loja që po bëhet me liderët e Ballkanit bëhet për të mbajtur nën kontroll popujt e tyre për t’ua bërë të qartë se procesi i integrimit do jetë shumë i gjatë”- tha Galdini.
Analisti Plator Nesturi sa i takon qëndrimit të Rithemelimit për çështjen e Belerit, tha se 'indiferenca' mund të vijë si pasojë e një kërkese që Berisha mund të ketë bërë ndaj grekqve dhe nuk i është plotësuar.
Në Bruksel, sot zhvillohet samiti Ballkani Perëndimor-BE ku mes të tjerash do të diskutohet për hapjen e negociatave për grupkapitullin e parë për Shqipërinë. Lidhur me këtë çështje, mediat greke bëjnë me dije se kryeministri Kyriakos Mitsotakis ia ka bërë të qartë Ramës se Athina nuk do lejojë përparimin e Shqipërisë në procesin drejt BE pa u zgjidhur çështja e Fredi Belerit për Himarës.
Analisti Plator Nesturi ka dhënë tezën e tij sa i takon qëndrimit të Rithemelimit për çështjen ‘Beleri’. I ftuar në ‘Repolitix’, ai tha se shkak për këtë lloj indiference nga opozita për Belerin, mund të jetë bërë një kërkesë e papërmbushur e Berishës ndaj Greqisë.
“Unë nuk jam dakord që t’i kërkohet llogari opozitës. Nuk e shikoj që opozita ka mbajtur një qëndrim shumë mbrojtës. Është lënë. Unë kam tezën time pse ndodh kjo. Mendoj se Berisha nuk bën asnjëherë mbrojtje kot, gjithmonë e ka trajtuar Belerin si goditje ndaj popozitës ndërsa grekëve i ka interesuar fakti të fokusohet si minoritar dhe jo si i opozitës. Kam përshtpyptjen që Berisha e ka kërkuar këtë gjë që më mbroni që të dal me tezat tuaja. Përderisa nuk e ka dhënë këtë shans Greqia, edhe Berisha ka mbajtur këtë qëndrim”- tha Nesturi.