Politikë

Greqia ‘surpriza’ e keqe e diasporës, janë kthyer vetëm 1/5 e zarfeve me votë! Ndërhyri KQZ dhe ambasada, përmirësim 24 orët e fundit

1 Maj, 16:54| Përditesimi: 1 Maj, 17:12

  • Share

Shteti shqiptar po haset me probleme që nuk i kishte pritur tek fqinjët tanë grekë lidhur me shpërndarjen e fletëve të votimit në diasporë. DHL, e cila ka nënshkruar kontratë me KQZ-në, rezultoi të mos kishte në shtetin helen burime të mjaftueshme për të gjetur 68 mijë votuesit shqiptarë dhe jua delegoi shërbimin dy kompanive vendase, duke shkelur kështu marrëveshjen me KQZ-në.

Postat në Greqi, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga KQZ, ose nuk ju shkuan në shtëpi shqiptarëve votues, ose nuk komunikuan si duhet me ta për tu dorëzuar zarfet. Partia Socialiste dhe më pas edhe Partia Demokratike denoncuan sjelljen e postës në shtetin që ka numrin e dytë, më të lartë të emigrantëve të regjistruar.

KQZ ndërhyri duke vënë në presion kompaninë, dhe bashkë me ambasadën shqiptare në Athinë, detyruan DHL-në dhe nënkotraktorët e saj të punojnë përtej orareve zyrtare dhe në ditët e pushimit, për të pritur shqiptarët.

Shifrat shumë të ulëta të shqiptarëve në Greqi që kishin marrë zarfet zgjedhore dhe kishin kthyer fletët e votimit, u përmirësuan disa gjatë 24 orëve të fundit. Prurjet e votave nga Greqia u dyfishuan, duke arritur në rreth 14 mijë, por që gjithsesi janë më pak se 1/5 e votave që pritet nga fqinjët tanë jugorë.

Në total nga 85 vendet ku janë shpërndarë fletët e votimit, në KQZ është arritur një shifër domethënëse e votave të grumbulluara, që e kaluan 110 mijëshin. Kjo do të thotë se gjysma e atyre që e kanë marrë zarfin zgjedhor, e kanë kthyer tashmë votën në Shqipëri.

3 mijë të tjerë e morën zarfin gjatë 24 orëve të fundit, por 27 mijë shqiptarë të diasporës ende nuk e kanë në dorë pakon zgjedhore. Votat nga jashtë priten deri të dielën e 11 majit, në orën 19:00.  Çdo zarf që vjen pas këtij afati, nuk do të numërohet.

K.T./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?