Grevë në Kosovë

Greva e arsimtarëve në Kosovë vazhdon, s'ka marrëveshje mes sindikatave dhe Qeverisë

13 Shtator 2022, 11:42| Përditesimi: 13 Shtator 2022, 14:09

  • Share

Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës njoftoi se nuk është arritur asnjë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, për t’iu dhënë fund grevave. Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat. Qeveria e Kosovës e refuzon këtë kërkesë, duke thënë se ky projektligj, që parasheh rritje të pagave, do të dalë në miratim së shpejti.

Më 13 shtator, Jasharaj ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

“Mund të them se takimi ishte përmbajtësor, por për momentin anuk kemi asnjë ndryshim. Qeveria vazhdon të mbajë qëndrimin për deklaratat rreth pakos, ne vazhdojmë të jemi zë i sektorit publik me kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për media, pas takimit.

Ai ka thënë se beson që Kosova ka buxhet të mjaftueshëm për t'i përmbushur kërkesat e tyre.

Takimin e së martës, Jasharaj e ka konsideruar vetëm nisje të procesit të dialogut mes Këshillit të grevistëve dhe Qeverisë.

“Uroj që kryeministri Kurti të mos i mbyllë dyert dhe të vazhdojmë me dialogun, mbase duke dëshiruar e uruar që gjendja të stabilizohet, besoj se kryeministri bashkë me stafin e tij do të diskutojnë pas takimit me ne, sepse tash është në dorën e tyre se çfarë do të ndodhë tutje”.

Nga greva e punonjësve të sektorit publik janë prekur të gjitha institucionet publike të arsimit në Kosovë, ku mësimi i paraparë të niste më 1 shtator, nuk ka nisur ende. Thirrje për hapjen e shkollave kanë bërë disa herë Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Këshilli i Prindërve po ashtu e ka cilësuar si të papranueshme grevën.

Më 3 shtator, Qeveria e Kosocës ka prezantuar një pako për përballje me inflacionin. Në kuadër të saj, punëtorët e sektorit publik do të marrin nga 50 euro prej muajit shtator./REL

Ora 14:09
Kurti me 'ofertë shtesë' për grevistët: U refuzua pa u diskutuar

1663070953_ZKPZKM512202111.jpg

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh i habitur me përgjigjen e menjëhershme të Këshillit Grevist të BSPK-së se greva do të vazhdojë, pavarësisht se ai shpalosi një ofertë të re për ta, që nuk nënkuptonte më shumë para, por përfshirje më të madhe të tyre në disa procese të tjera.

Kurti iu ofroi atyre që të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimit publik për Ligjin mbi pagat, bashkërisht të bëjnë reformën e sistemit pensional si dhe të shtojnë edhe 10 milionë euro të tjera për barnat esenciale.

Shefi i ekzekutivit tha se Këshilli Grevist kërkoi nga ai që të lëvizë, por sipas tij tashmë kanë lëvizur të paktën 10 herë në drejtim të nevojave dhe kërkesave të punëtorëve të arsimit. Ai shtoi se nuk është e vërtetë se ka mungesë të komunikimit në mes palëve.

“Në takim më është thënë ‘kryeministër lëviz’, por unë kam lëvizur të paktën 10 herë në drejtim të nevojave dhe kërkesave të sindikatave dhe punëtorëve të arsimit, andaj pikërisht për këtë arsye edhe njëherë kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla, e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla, të parët të mësojnë e të dytët të japin mësim. Nuk bënë bojkot e grevë shtetit sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që nuk ka pas komunikim, nuk është se nuk ka pasur dialog dhe më së miri kjo gjë u pa sot, problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut apo komunikimit. Në takim disa herë mu tha që ‘ne të dalim prej kësaj situate, edhe ju, edhe ne’, edhe qeveria edhe SBASHK, unë besoj që në situatë të vështirë nuk është as qeveria e as SBASHK-u, por arsimit. Dhe unë jam këtu që ta ndihmoj arsimin, nuk mund të zhvillohet dialog social me preokupim prioritar për përfaqësuesit e organizatave që zhvillojnë dialogun social”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj konference para gazetarëve derisa listoi investimet që kanë bërë në sektorin e arsimit u shpreh se tashmë grevistë u kanë thënë tri oferta.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të Këshillit Grevist për të cilët ata na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Neve na u tha në takim që për këtë ofertë të qeverisë do të pyetet anëtarësia, posa dolën nga takimi deklaruan për medie që greva vazhdon, kur e pyetën anëtarësinë? Neve na thanë në takim që do ta presin anëtarësinë dhe oferta shtesë ishte kjo: Do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimit publik për Ligjin mbi pagat dhe atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik sepse diskutimet preliminare po përfundojnë duke i përfshirë të gjitha komentet. Dhe dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK do ta bëjmë reformën e sistemit pensional në mënyrë që të bëhet diferencimi i kategorive të ndryshme duke e hequr atë pragun famëkeq për 15 vjet pune edhe për këtë u zotuan sot dhe të tjera u zotuam që tek barnat esenciale do të shtojmë edhe 10 milionë euro. Ata thanë se do të konsultohen me anëtarësinë, kur dolën nga takimi thanë vazhdon greva, unë nuk e di çfarë anëtarësie është ajo e cila reduktohet ndoshta në një telefonatë”, theksoi Kurti.

Për kërkesën prej 100 eurosh të sindikatave, kryeministri u shpreh se kjo është logjikë e shantazhit dhe të bërjes Pazar dhe nuk është aspak e drejtë.

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?