ELBASAN- Një ditë më parë, 5 invalidët që u futën në grevë kanë arritur një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila iu ka hequr 16 mijë lekë nga kempi, pjesë e paketës higjieno sanitare. Ditën e djeshme, zv.ministrja e Shëndetësisë Denada Seferi ka zhvilluar një takim me ta dhe kanë rënë dakord që të ngrihet një komision i posaçëm kontrolli mjekësor nga Tirana për të shqyrtuar 5 rastet.
Sekretari i Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë, Skënder Sallaku tha për mediat se kanë rënë dakord se komisioni që do të ngrihet do të shqyrtojë dosjet e tyre dhe më pas do të vendoset nëse do t’iu rikthehen pagesat ose jo. Ministria u ka premtuar se pas përgjigjeve, atyre do iu kthehen edhe lekët e paketës higjieno sanitare që nuk kanë marrë këto dy muaj.
“Patëm një takim me zëvendësministren, me drejtoreshën e Shërbimit Social dhe drejtoreshën e Shërbimit Social Elbasan dhe arritëm një marrëveshje. Kërkuam një kemp të pavarur, mjek të pavarur nga ministria, për këta persona që ishin në grevë urie. Do ngrihet komision mjekësh nga Tirana, mori emrat e personave që ishin në grevë urie dhe do i shkojnë nëpër shtëpia mjekët dhe do shikojnë procedurat. Na u premtua nga Ministria e Shëndetësisë që këto shpenzime do i kenë falas. Kemi kërkuar që statusi të jetë i përhershëm. Ata që e kanë të përhershëm, do dalin të përhershëm. Mos të ketë më sorallatje”, tha Sallaku.
Takimi me zv.ministren vjen pasi invalidët mbajtën grevë urie për tre ditë sepse KEMP epror iu hoqi paketën higjieno-sanitare 16 mijë lekë. Invalidët merrnin një pagesë prej 40 mijë lekë në muaj, por me heqjen e paketës higjieno-sanitare tashmë ata marrin 24 mijë lekë në muaj. Ndarja e pagesës bëhet 12 mijë lekë në muaj për paaftësinë për të punuar, 10 mijë lekë shkojnë për shoqëruesin dhe 2 mijë lekë për pagesën e dritave.