Greva njëditore e punëtorëve të 13 aeroporteve në Gjemani, ka ndikuar në anulimin e katër fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara i ka thënë KosovaPress-it, se janë anuluar katër fluturime nga Prishtina, të cilat kanë qenë anulime të planifikuara dhe nuk kanë shkaktuar ndonjë tollovi në Aeroportin e Prishtinë.
“Për shkak të grevës në disa nga aeroportet e Gjermanisë, ne aeroportin tonë janë anuluar 4 fluturime në nisje. Meqenëse këto kanë qenë anulime të planifikuara, nuk kanë shkaktuar ndonjë tollovi në aeroportin tonë. Gjatë pjesës tjetër të ditës nuk kemi fluturime tjera të planifikuara për Gjermani” tha Gara.
Greva, e udhëhequr nga sindikata Verdi, nisi papritur të dielën në Aeroportin e Hamburgut dhe u përhap në të gjithë Gjermaninë. Udhëtarët në Frankfurt, Mynih, Berlin dhe aeroporte të tjera, janë paralajmëruar të mos udhëtojnë, pasi operacionet janë të rënduara.
Verdi kërkon një rritje prej 8 për qind të pagave ose së paku 350 euro më shumë në muaj, si dhe përmirësime në kushtet e punës. Punëdhënësit i kanë refuzuar kërkesat si të papërballueshme. Greva pritet të vazhdojë edhe këtë javë në disa qytete të tjera./KosovaPress/
Komente
