TIRANE - Fëmijët janë më të prekurit nga virozat dhe gripi në stinën e dimrit. E aktualisht fluksi në urgjencën pediatrike dhe në qendrat shëndetësore është shtuar. Në urgjencën pediatrike në QSUT gjatë një jave paraqiten mesatarisht 250-300 raste në ditë, ku gjatë fundjavave ky numër arrin dhe në 350.
Kjo pasi në vendin tonë numri i infeksioneve respiratore është rreth 19 mijë në javë, ku pjesa më e madhe janë viroza. Përsa i përket situatës së gripit që prej muajit Tetor e deri në fund të Janarit ka pasur 400 raste të dyshuara me grip, por vetëm 88 kanë rezultuar të tilla.
Pediatri Bektash Mandri pranë qendrës shëndetësore nr.10 në Tiranë, tregon simptomat kryesore që shfaqin fëmijët në këtë periudhë.
“Që në 10 ditëshin e fundit të Janarit situata ka qenë e ngarkuar, kemi patur një numër vizitash që shkon mbi 30-40 vizita në ditë. Sapo fillon temperatura që shkon mbi 38 e gjysmë prindi duhet të sjelli fëmijën tek mjeku pediatër që ta vizitojë. Simptomat janë temperaturë e lartë, sekrecione të ujshme nga hundët, kemi dhe sekrecione të trasha. Fillon kolla, fillimisht me kollë të thatë, pastaj kthehet në kollë me sekrecione”-u shpreh pediatri.
Mjekët bëjnë apel që prindërit të mos drejtohen menjëherë tek urgjenca pediatrike në QSUT, por fillimisht të shkojnë në qendra shëndetësore, për të mos krijuar radhë të gjata pritje, e për t'i lënë mundësi rasteve që janë më të rënda.
“Qendrat shëndetësore 24 orëshe ofrojnë pothuajse të gjithë shërbimin që bëhet në urgjencën e pediatrisë. Problemi nuk është se pacientët nuk vijnë në qendër, problemi është që pacientët vet zgjedhin urgjencën në QSUT sepse mendojnë që atje marrin një shërbim më të diferencuar, dhe kjo është arsyeja pse fluksi është vazhdimisht i lartë në urgjencën e pediatrisë. Janë tre qendra shëndetësore në Tiranë që ofrojnë shërbim e urgjencës 24 orëshe, është Q.SH 10, Q.SH 8 dhe Q.SH 7”-tha Bektash Mandri.
Sezoni i gripit pritet që të zgjasë deri në muajin Mars, ndaj dhe mjekët këshillojnë që të tregohet një kujdes më i shtuar ndaj fëmijëve, duke mos i lënë në hapësira të mbyllura e të pa ajrosura.