Pulat e ngordhura nga gripi i shpendëve

Gripi i shpendëve, LSI: Prokuroria të hetojë Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë për mosveprim, rrezikoi shëndetin e njerëzve dhe dëmtoi ekonominë

28 Mars 2022, 13:46| Përditesimi: 28 Mars 2022, 13:48

  • Share

Mungesa e transparencës me të gjithë procedurën e groposjes së pulave të ngordhura nga gripi i shpendëve, por edhe me mënyrën e identifikimit të saj ka sjellë reagimin e LSI, e cila kërkon hetim për rastin. Roni Telegrafi , ish zëvendësministër i Bujqësisë, tha se drejtësia duhet të hetojë për mosveprim të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, pasi keqmenaxhimi i institucioneve  solli përkeqësimin e situatës.

LSI madje kërkon të dijë se kur pelikanët e pulat ngordhnin në ferma e liqenin e Prespës, pse analizat nuk identifikonin gripin e shpendëve por sëmundjen Laringotrakeid duke thënë se kjo ndodhi ose për shkak të paaftësi institucionale ose si rezultat i korrupsionit pasiv.

“Përshëndetje! Jemi sot këtu si pasojë e një përhapje dramatike dhe të paprecedentë të Gripit të Shpendëve kohëve të fundit.  Përhapje që ka sjellë dëme të skajshme në ekonomi dhe që ka rrezikuar rëndë shëndetin publik. Megjithëse në vetvete përhapja e Gripit të Shpendëve konsiderohet një fatkeqësi natyrore, është keqmenaxhimi nga institucionet publike ai që ka sjellë përkeqësimin e panevojshëm të kësaj krizë.  Ne besojmë se shkaku i vërtetë i pirgjeve me pula të ngordhura është mos veprimi i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe rezultati i dyshimtë i testeve nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Për këtë arsye I bëjmë thirrje organeve të posaçme të drejtësisë të hetojnë sa më parë mosveprimin e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë.

Gjithashtu, kërkojmë hetimin e procesit të analizimit të 60 kampionëve, të cilët, çuditërisht nuk rezultuan me Grip shpendësh por me Laringotrakeid. Rrethanat e menaxhimit të Gripit të Shpendëve nga organet përkatëse, ngrenë dyshimet e arsyeshme së mosreagimi dhe rezultatet e testeve, në rastin më të mirë, janë produkt  paaftësie dhe në rastin më të keq, produkt korruptiv. Teksa liqeni i Prespës mbushej me pelican të ngordhur nga Gripi i Shpendëve, institucionet në varësi të Ministrisë së Bujqësisë zgjodhën të mos reagojnë, pasi mesa duket, për ta rreziku nuk ekzistonte.  Akoma më absurd dhe i dyshimtë mbetet njoftimi I Ministrisë së Bujqësisë i datës 17 Mars. Ku nga njëra anë ministria njoftonte publikun për 200 mijë pula të ngordhura dhe nga ana tjetër siguronte konsumatorët se nuk kishte asnjë rast të shfaqur të Gripit të Shpendëve. Vetëm një hetim i thelluar nga Organet e Drejtësisë mund të na japë përgjigje shteruese nëse dëmi ishte shkaktuar nga Gripi i Shpendëve është rezultati pa aftësi institucionale apo i korrupsionit pasiv”, tha LSI.

Rastet e para me gripin e shpendëve në vend janë regjistruar më 19 mars, ku më së shumti janë prekur pulat e fermave, por ka patur edhe raste të regjistruara në pulat e oborrit. Janë katër vatra aktive të konfirmuara në Durrës, Korçë, Dibër dhe në Divjakë. Pavarësisht shqetësimeve te qytetarët dhe panikut të shkaktuar nga kjo sëmundje, autoritetet kanë theksuar më shumë se një herë se nuk paraqitet asnjë rrezik nga konsumimi i mishit të shpendëve apo vezëve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?