Gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë: S’kemi asnjë vatër të re, u kemi kërkuar bashkive që të ndalojnë tregtimin e shpendëve në mjediset e pa miratuara

27 Mars 2022, 12:39| Përditesimi: 27 Mars 2022, 13:47

  • Share

Në 24 orët e fundit nuk është konfirmuar asnjë vatër e re me virusin e shpendëve në vend. Ministria e Bujqësisë thotë se nuk ka vatra të tjera të dyshuara, por i bën thirrje bashkive që të marrin masa dhe të mos lejojnë tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pa miratuara për shitje.

‘Mbi situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, edhe sot nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar nga ISUV gjatë 24 orëve të fundit, dhe po ashtu nuk ka patur as denoncime apo njoftime në numrin e gjelbër. AKVMB vazhdon monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.  Nuk ka vatra të tjera të raportuara apo dyshuara nga kontrollet e kryera për monitorim.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. U kemi kërkuar bashkive bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje në zbatim të urdhrit Nr.131, datë 25.3.2022 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”.’- njofton zv.ministrija e Bujqësisë, Ermira Gjeçi.

Nga ana tjetër, ministria e Bujqësisë njofton se po monitorohet situata në të gjithë territorin e vendit, ndërsa siguron konsumatorët se nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit.

Rastet e para me gripin e shpendëve në vend janë regjistruar më 19 mars, ku më së shumti janë prekur pulat e fermave, por ka patur edhe raste të regjistruara në pulat e oborrit. Janë katër vatra aktive të konfirmuara në Durrës, Korçë, Dibër dhe në Divjakë. Pavarësisht shqetësimeve te qytetarët dhe panikut të shkaktuar nga kjo sëmundje, autoritetet kanë theksuar më shumë se një herë se nuk paraqitet asnjë rrezik nga konsumimi i mishit të shpendëve apo vezëve.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?