Kjo është shtëpia e pelikanëve kaçurrel në lagunën e Karavastasë. Një shpend endemik që folenizon prej vitesh në këtë lagunë. Pamjet me dron filmuar ditët e fundit tregojnë pakësimin e kolonisë. Gripi i shpendëve ka lënë pasoja të rënda edhe tek shpendët e egër.
"Kolonia e pelikanëve bazuar tek pamjet me dron kemi vërejtur numër të reduktuar si shkak: Prezencë e gripit të shpendëve".
Brenda Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta janë gjetur dy shpendë të ngordhur, por numri i atyre që kanë ngordhur në laguna e liqene të tjera ku pelikanët shtegtojnë për ushqim mund të jetë disa herë më i lartë.
"Kemi pasur raste të ngordhjes dhe i kemi hequr prej andej për të mos infektuar të tjerë, por dyshojmë se numri i reduktuar ka ardhur pasi mund të kenë ngordhur edhe të tjerë. Numrin e saktë nuk e dimë se nuk është bërë censusi për këtë vit".
Censusi i fundit i përket vitit 2020 ku kolonia e pelikanit kaçurrel përbëhej nga 85 fole me vezë dhe zogj.