Në të gjitha qendrat shëndetësore të Fierit janë shpërndarë 27 mijë doza vaksine për gripin sezonal. Gjatë 10- ditëshit të parë të procesit vihet re interes i shtuar i popullatës në zonat rurale, por njëherazi dhe rënie e ndjeshme e interesit në qytet.
“Ka përdorim të mirë në krahasim të mirë në vitet e tjera, por nuk është sa duhet. Grupet tona kanë dalë në terren për të sensibilizuar popullatën që të vaksinohen para se të nisë sezoni i gripit”, tha shefja e Shërbimit Epidemiologjik në Fier, Anila Moci.
Moci thekson në intervistën për Report tv se sfidë mbetet ndërgjegjësimi i diabetikëve, të cilëve format e rënda të gripit mund tu kushtojnë edhe jetën.
“Është shumë e rëndësishme të përdoren vaksina e gripit tek diabetikët. Ata duhet të ndërgjegjësohen më tepër”, tha ajo.
Instituti i Shëndetit Publik ka shpërndarë në mbarë vendin 280 mijë doza vaksine për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe kategoritë e tjera të riskut. Krahas vaksinës së gripit, javën e ardhshme pritet të vijnë dhe 5.800 doza anti-covid për nënvariantet e reja të omikronit si pjesë e planit përgatitor për grupet në risk. Vaksina e gripit dhe covid-it mund të aplikohet në të njëjtën ditë pranë të gjitha qendrave shëndetësore.