Helena dhe Ismail Kadare

Kultura

Gruaja e tij feston ditëlindjen, urimi i ndjerë i Ismail Kadaresë: Helena, njeriu që më dha gjithë gëzimet e kësaj bote! S’ka fjalë që përkufizon lidhjen tonë

21 Shtator 2021, 14:16| Përditesimi: 21 Shtator 2021, 14:24

  • Share

TIRANË- Helena Kadare, një zonjë e rrallë dhe një grua e jashtëzakonshme shqiptare, sot feston 78-vjetorin e në këtë ditë të shënuar për të, nuk kishte si të mungonte urimi i bashkëshortit të saj, shkrimtarit të madh Ismail Kadares. Një shprehje e famshme thotë, ‘një burrë peshohet nga gruaja dhe biblioteka që ka’, e pikërisht kësaj gruaje, Kadareja thotë se i detyrohet gjithçka në jetën e tij. Edhe pse ka bërë për vete lexues në mbarë botën me stilin se si ai shkruan, kur vjen puna te urimi për shoqen e tij të jetës, e ka shumë të vështirë që të gjejë fjalët.

“Çfarë është Helena për mua? Është gruaja më e afërt e imja në këtë botë. Kështu ka qenë që në fillim të njohjes sonë, e deri tani në mbarim, në këtë pjesë të fundit të jetës. Njeriu më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote, ndaj së cilës ndihem i detyruar për gjithçka.

Shumë e vështirë të gjej një fjalë, që përkufizon gjithë lidhjen tonë. Zakonisht për gjërat e bukura të kësaj bote, gjërat e mëdha, gjërat e përjetshme, nuk i përkufizon dot, nuk e durojnë dot përcaktimin në fjalë gjuhësore. Prandaj nuk do ta merrja përsipër një aventurë të tillë”, tha ai për Balkanweb.

I pyetur nëse e ka përdorur ndonjëherë shprehjen “Më fal që nuk di të dua pak, por të dua vetëm shumë”, Kadare thotë se “Unë nuk e kam përdorur, nuk më kujtohet ta kem përdorur këtë shprehje. Në qoftë se ja kam thënë dikujt, në një farë mënyre një gruaje, ka qenë Helena”.

Helena Kadare gjithashtu e njohur edhe si Elena Kadare (Fieri, 1943) është një autore novelash dhe romanesh. Është një ndër të paktat shkrimtare romanciere shqiptare, në vitet e regjimit komunist. Autore e shtatë vëllimeve, veprat e saj flasin për ëndërrimet vajzërore, përjetimet e të qenit nënë e bashkëshorte. Gjithashtu është një përkthyese cilësore e disa veprave të autorëve të njohur botërorë, kryesisht francezë. Historia e tyre e dashurisë është njësoj si në filma, ku një tregim i bërë nga Helena, atëherë kur ishte gjimnaziste tërhoqi vëmendjen e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Me kohën, Helena u shndërrua në protagoniste të librave të Kadaresë, siç ishte Ana te “Përbindëshi”, por kjo nuk ka mjaftuar. Edhe Helena Kadare, jetën e saj krah Ismailit, e ka dokumentuar në “Kohë e pamjaftueshme” edhe pse nuk e mori kurrë dakordësinë nga bashkëshorti i saj, i cili ishte kategorikisht kundër librave autobiografikë.

Helena dhe Ismail Kadare

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?