Kronikë

Tiranë/ Gruaja me shenja në fytyrë shkon në polici, vajza e ‘dekonspiron’: Babi na rreh sa herë pi, më fal nënë që po tregoj

25 Nëntor 2021, 20:23| Përditesimi: 25 Nëntor 2021, 20:28

  • Share

Gratë mund të heshtin ndonjëherë dhe të përpiqen ta ruajnë martesën dhe për pasojë të rrezikohen e të vijojnë të jenë viktima të dhunës. Por jo fëmijët.

Një grua që ka shpresuar se gjendja do ndryshojë dhe ndaj e ka falur për 18 vjet partnerin dhunues, ka tentuar të veprojë njësoj edhe atëherë kur sapo policia mbërriti në banesë, ajo u pendua dhe u përpoq ta justifikonte të shoqin.

Rasti i dhunës së vazhdueshme bëjnë me dije burimet e policisë për Gazetasi.al, u njoftua nga gruaja e iniciale F.B., që me shenja në ballë dhe në fytyrë, kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të agjentëve.

Nga mbërritja e policisë në banesë dhe shoqërimi i burrit të dehur në komisariat, veprimet e mëpasshme të anëtarëve të familjes treguan se gruaja ka ndryshuar befas, jo vetëm nga lutjet e burrit të bërë esëll për ta falur, por edhe nga bindja se bashkëshorti të rreh ndonjëherë. Policia I thotë Gazetasi.al, se 43-vjeçarja mohoi çdo gjë.

“Dhuna ndaj meje i përket viteve të mëparshme, kur ishim të rinj. Ne kemi tre fëmijë dhe pas dhunës, në asnjë prej këtyre rasteve nuk jam paraqitur në polici për të treguar. Përkundrazi, gjendja nuk ka ndryshuar dhe dhuna ka qenë e vazhdueshme. Ndonjëherë, kur vinte i dehur kërkonte që të merrja fëmijët dhe të largohesha nga shtëpia jonë, ulërinte se donte të na shihte në rrugë. Gjithsaherë ndodhte kjo gjë që burri vinte i dehur, merrja fëmijët dhe ikja tek vjehrri e vjehrra. Por kjo ka ndodhur prej kohësh”, - rrëfen 43-vjeçarja.

Nga verifikimet e policisë që nuk ka marrë përgjigje se ku ishte vrarë dhe përse e telefonoi komisariatin, nuk kanë mbajtur të njëjtin qëndrim vajzat. Më e madhja e tyre, ka akuzuar të atin se jo vetëm pinte, por vazhdimisht ai kthehej në shtëpi i nevrikosur, thyente pjatat, nuk i pëlqente ushqimi dhe ankohej për çdo gjë.

Adoleshentja tregon sipas burimeve të Gazetasi.al. “Më fal nënë, por babai të ka rrahur përherë dhe ato shenja janë të babait. Babai erdhi në orën 20:30, kishte pirë dhe tha: ‘Kur të kthehem, mos t’iu gjej në shtëpi, zhdukuni nga shtëpia’”.

Më pas, i zoti i shtëpisë ka dalë dhe ka vijuar të pijë me të vëllain në një lokal të lagjes. “Kur u kthye, e qëlloi mamin në fytyrë, në afërsi të hundës dhe e akuzoi: ‘Shko gjej dashnorët’. Disa herë, sulme si këto kam parë të ndodhin edhe kur babi është në gjendje normale dhe esëll”.

Adoleshentja kallëzon kundër qëndrimit që mban e ëma se sa herë i dilte efekti i alkoolit, i ati kërkonte falje dhe shfaqej i penduar. “Mami e fal, sepse ai përgjërohet se do ndryshojë dhe kërkon falje për sjelljen dhe shqetësimet që na shkakton. Këtë sjellje të babait e dinë gjyshërit që e këshilluan mamin që sa t’ii dalë pija babit, ne të mbyllemi në dhomë apo të shkojmë tek ata. Por kjo është një histori që përsëritet”.

Në qëndrimin e adoleshentes pranë policisë së komisariatit nr. 5 përmendet zotimi i burrit me inicialet A.B., se nuk do t’i stresonte dhe se do të ndryshonte.

“Ai betohet, por ne jemi të frikësuara prej tij dhe kërkoj që babai të mbajë përgjegjësitë për çdo gjë që bën, sidomos të mbajë përgjegjësi për veprimet ndaj nënës”. Ky shtetas, sipas policisë, ka varësi nga alkooli dhe nuk është trajtuar asnjëherë.

Megjithatë, gjatë pandemisë, arrestimet e burrave dhe grave që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur, tregojnë se fenomeni i varësisë nga alkooli ka marrë përmasa shqetësuese.

Por ndërkohë qytetarët janë larg kulturës për t’u përfshirë në grupe të vetëndihmës për të shpëtuar nga alkooli, rehabilitimi profesional, detoksifikimi apo ndihma mjekësore. Manuali i ç’rregullimeve mendore, i përshkruan abuzuesit me alkoolin, si ata që vazhdojnë të pinë pavarësisht problemeve sociale, ndërpersonale dhe ligjore.

Sipas shkresave të vendosura në dispozicion Gazetasi.al, gjatë kohës që ministër i Shëndetësisë ishte Ilir Beqja, vendi ynë miratoi një strategji kombëtare mbi të cilën duhet të veprohet për të minimizuar dëmet që shkaktohen nga alkooli.

Zyrtarisht, të dhënat e shërbimit alkoologjik (pranë QSUT-së), tregojnë se për pesë vite, nga ky shërbim u trajtuan 2.534 shtetas, midis tyre edhe 423 femra.

Por në strategjinë që përfshin taktikat se si do frenohet përdorimi i alkoolit, përfshihet edhe ngritja e shërbimeve alkoologjike në Vlorë dhe në Shkodër, si dhe  krijimi i 3 KPA-ë, që janë klube të të përkorëve alkoolikë, që ende nuk funksionojnë. Sa i takon konsumimit të alkoolit, OBSH rekomandon:

1.Gratë nuk duhet të pinë më shumë se dy pije në ditë.

2.Burrat jo më shumë se tre pije në ditë mesatarisht.

3.Mundohuni të mos i kaloni katër pije në ditë në çdo rast.

4.Mos pini alkool në situata të tilla, kur drejtoni automjetin, kur jeni shtatzënë, ose në punë, si dhe të abstenohet konsumi i alkoolit të paktën një herë në javë.

Sipas këtij studimi, alkooli është nxitësi kryesor ndaj dhunës, pasi një në katër gra, konstatohet e dhunuar për këtë shkak dhe se një e treta e të dhunuarve pranojnë pranë rajoneve, se dhunuesi ka qenë i pirë. Ndërsa e njëjta pasojë, deklarohet edhe nga të varurit nga alkooli që shkaktojnë aksidente automobilistike.

Ministria e Shëndetësisë, rekomandon sipas strategjisë që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, jo vetëm rritje të masave  dhe përmirësim të kushteve të limitit maksimal për përqendrimin e alkoolit, por edhe inkurajim të shërbimit taksi gjatë natës./Si

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?