Gruaja si një spektakël krijimi në studion e Gazmend Lekës

12 Dhjetor 2021, 22:43| Përditesimi: 12 Dhjetor 2021, 22:52

  • Share

“Kaloi një grua” është cikli më i fundit i krijimtarisë së Gazmend Lekës që pa dritën e ekspozitës në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

E ndërtuar nga 15 tablo në vaj e 13 vizatime, kjo ekspozitë konfirmon një rrugëtim të piktorit Gazmend Leka nisur dekada më parë, piktorit që nuk i trembet ngjyrave të errëta, sepse ato janë në gjendje të lëshojnë përherë edhe më shumë dritë brenda tablove.

“Nuk mund ta kuptoj dot jetën dhe pa ardhur në studio çdo ditë dhe pa punuar. Është si punë e frymëmarrjes. Askush nuk ia ndalon dot dikujt  frymëmarrjen për disa minuta, se shkon në botën tjetër. Dhe mua më duket sikur shkoj në botën tjetër po s’u mora me pikturë.”-thotë piktori Gazmend Leka.

“Kaloi një grua” në studion e artistit dhe penelat fluturuan mbi tablo…..

Ai i largohet tinëz retorikës ideale të gruas së bukur për të prekur në një oaz të trazuar jete e formash të gjalla dashurinë e gruas së jetës.

Është kjo ekspozitë, kjo grua, këto gra, si mishërimi më tokësor i qenies së prekshme nga të gjithë ne.

 “Kaloi një grua” është cikli më i fundit i krijimtarisë së Gazmend Lekës që pa dritën e ekspozitës në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

Dhurata Hamzai: Siç shihet e gjithë kjo ekspozitë është një dedikim i posaçëm, ndryshe nga i gjithë sistemi i veprave tuaja. Përse  pikërisht e titulluat “Kaloi një grua”?

Gazmend Leka: Sigurisht tek ato temat që unë kam trajtuar në ciklet e para, gjithmonë kam dashur ta pagëzoj  ekspozitën. Dhe gjithmonë kam pasur variante të ndryshme të titujve, kësaj radhe unë  nuk e ndryshova titullin. Edhe kur bisedoja me gruan në shtëpi, apo me miqtë e mi, kaloi një grua të gjithëve u tingëllonte si një shprehje poetike, si një poezi. Ka në fakt një film këtu në Shqipëri,  pikërisht me këtë temë që bëra unë “Kaloi një grua”, por unë nuk e mora atë, por koincidoi me temën time, sepse ajo edhe kur iku la një nostalgji për të krehurën e saj, me ecurën e saj, me parfumin e saj dhe gjithçka. Në fakt koincidon si alibi për mua, se më tolloviti gjithë temat e rënda që bëja unë, si “Noe”, “Dhoma e hapave të humbura”, tema që kishin një peshë të rëndë edhe në mendje, kjo temë erdhi më butësisht. Është më lirike sepse po bëja femrën si grua, si nënë, si njeri të dashur në jetë. 

Dhurata Hamzai: Pra vura re atë element që përtej koracës së  dhimbjes së saj, pasqyrohet në tipare e në trup se buron shumë dashuri prej piktorit, si ai uji që rrjedh i pastër në një shkëmb. Dua t’ju pyes edhe në lidhje me përvojën e trajtimit të gruas që është gjithmonë ndryshe për syrin e artistit, ndërsa në shoqëri gruaja trajtohet në një tjetër mënyrë, çfarë e bënë këtë diferencë?

Gazmend Leka: Gruaja është një nga figurat më të pikturuara në të gjithë historinë  e artit botëror. Edhe në kohët më primitive, nëse sheh statujën e Vensuit është një grua që nuk i dallohet personaliteti, por është femër me gjoks të zhvilluar me forma të ekzagjeruara, me vithe të ekzagjeruara, pra është taman simboli I nënës, është simboli i tokës, është simbol i pjellorisë. Pastaj gruaja filloi të ndryshonte dhe të merrte tjetër lloj afshi, tjetër lloj parfumi, tjetër lloj perceptimi. Në vende të ndryshme ajo nuk shihej njësoj. Ndryshe trajtohej gruaja në artin indian, ndryshe në artin kinez, e ndryshe në artin egjiptian. Nuk ka qenë e njëjt. Domethënë po ta shohësh raportin që kanë artistët me gruan, gjithmonë ka lëvizur. Prandaj zgjodha këto lloj modelesh, këto modele të kolme që janë gra të jetës. Është ajo harmonia, që gruaja vjen më e dashur, më e ngrohtë. Për syrin tim kanë ardhur drejt meje shumë të dashura. E gjitha ajo që ju thatë është perceptimi që ka artisti ndaj fermës. Unë zgjodha perceptimin tim ndaj femrës.

Cila ishte gruaja e parë që kaloi, që ju u kujtuat që ta shumëzonit në dimensione artistike, në vepra arti?

Gazmend Leka: E para ishte një grua me emrin Adelë dhe ajo kërkoi vetë, ajo tha dua të bëj një pikturë në studio. Dhe unë me hezitim e nisa punën në fillimet e mia, po pastaj e bëra njëherë, dy herë dhe pastaj nisa të punoja. Me materialet që mblidhja nuk kam bërë vetëm modelet. Këtu, janë edhe frymëzime nga të gjitha gratë. Në këtë cikël ka dhe shumë ambiente dhe çaste të zakonshme të shtëpisë, të studios, që Ermir Hoxha (kuratori) e thotë shumë mirë që në këtë femër që është gati një metër e gjysmë, që gati gati i afrohet telajos ka një lloj sensi kluastrofobik, që lidhet me ato shtëpi të ngushta që ne kemi pasur tërë jetën.

Dhe pastaj kam punuar shumë fort, gati dhjetë muaj. E trajtova femrën me sekuenca të ndryshme. Unë jam shumë i kënaqur nga kjo që bëra. Dhe po të shohësh rekuizitën e dallon menjëherë, dhe ndaj them që unë jam shumë i kënaqur, që kam nxjerrë maksimumin e këtyre dhjetë muajve.

Profili i gruas sjell “paqen” në studion e Lekës.

Ajo është një oaz qetësie, dedikuar profesionistit dhe modeles; artistit dhe habitatit të tij; aktit të krijimit, sa dhe momenteve të heshtjes kur të shfaqet e gjitha nudo.

Dhurata Hamzai: Vura re që në punët që kishit bërë, nuk ishte vetëm pjesa poetike, por ju kishit mbartur si piktor në ndërgjegje, në sy, gati në shpatullat tuaja një peshë, ku gruaja në disa dimensione që për disa të tjerë ndoshta nuk janë të bukura, por sidoqoftë ju e kishit përkthyer artistikisht në tablo me një peshë të atillë, sikur... A mund të na e plotësoni më qartë, si?

Gazmend Leka: Nuk zgjodha që të bëja një femër të trukuar, por zgjodha pikërisht nënën , zgjodha atë detyrën e parë që ka gruaja. Sepse të tilla gra janë shumë të vërteta. Janë shumë të përditshme, i sheh kudo. Zgjodha pikërisht mëmën, atë detyrën e parë që kishte gruaja, ajo që ka edhe atë bukurinë e femrës, ka edhe atë bukurinë e nënës.

Mua m’u duk shumë femër shqiptare, shumë grua shqiptare ajo që trajtoja. Nuk mund të bëhej ajo grua në Zvicër, në Danimarkë, ku rrugët janë të pastruara, ka rregull. Këtu jemi mes tymrave, zhurmave.... Jeta ka një lloj energjie shumë të madhe, që për fat të keq bënë një presion të fortë ndaj femrës, jo se e përkul, jo se e zhyt, por në atë punën  time unë doja të bëja një dedikim që këtu është gruaja shqiptare

E ndërtuar nga 15 tablo në vaj e 13 vizatime, kjo ekspozitë konfirmon një rrugëtim të piktorit Gazmend Leka, nisur dekada më parë, piktorit që nuk i trembet ngjyrave të errëta, trazuar prej vibrimeve të kuqe, sepse prej tyre ai di të përcjellë dritën e inteligjencës.

Dhurata Hamzai: Ndodh me çdo piktor, me çdo piktor të talentuar, që kur merr në konsideratë figurën e gruas, mund të jenë ata piktorët që i shpërfillin të gjitha kodet shoqërore të moralitetit. Në tablonë  e një piktori; si gruaja që shet trupin, kryeneçja, nervozja, e buta, e ëmbla shfaqen të gjitha të stërpikura me dashurinë e piktorit. Pse ndodh kjo?

Gazmend Leka: Në përgjithësi, ne meshkujt e kemi shpërdoruar femrën. E kemi dëmtuar qoftë edhe në mentalitet tona. Sado që shoqëria jonë sot është hapur, por unë mendoj se nuk është hapur, është shqyer. Më keq është bërë në disa momente. Unë doja të ruaja atë dashuri të fortë që ruaja për nënën, motrën, gruan, shoqen. Pse trajtohet më shumë gruaja, pra më shumë femra sesa mashkulli në art, sepse meshkujt kane qenë artistët që e bënin femrën, artiste femra ka pasur shumë pak. Ky shekull dhe ai që kaloi, ka shumë femra artiste, të cilat kanë pikturuar edhe femrën, por kanë pikturuar edhe bukurinë e mashkullit. Unë nuk do të tërhiqesha dot aq nga bukuria e mashkullit. 

Sipas kuratorit Ermir Hoxha, “e gjithë ekspozita ndërtohet nga imazhe interieri, jo shumë ndryshe nga formati klasik i krijimtarisë së Lekës. Modelja e është ashtu, e zhveshur, e kolme dhe intriguese.

Dhurata Hamzai: Duke pasur parasysh ciklet e pikturave të viteve e fundit, pikërisht në këto cikle voluminoze, ju pothuajse keni mbartur një barrë shumë të rëndë pune. Jeni një nga piktorët që përveç tablove të larta, keni shumë më tepër vëllime tematike e stilistike dhe e keni mësuar publikun që të presë shumë nga ju. Çfarë ju bënë që të punoni kaq shumë?

Gazmend Leka: Ju e ndjeni edhe vetë, sesi është marrëdhënia dhe komunikimi me publikun. Pyetja juaj është si një lloj epifanie e asaj që unë kam krijuar me punën time. Për pikturën ka të tjera pasqyra. Dhe ka një sinkroni, kur unë nuk e them për shembull është viti 1990, por e them se është koha e filan ekspozite, edhe viti tjetër është i filan ekspozite. Unë pyes miqtë nëse është ngritur një milimetër i kësaj radhe ekspozita ime. Nëse ngrihet niveli edhe një milimetër më shumë është një gëzim shumë i madh.

Ndonjëherë thonë se publiku shqiptar nuk ka njohje për artin figurativ. E kanë gabim...

Dhurata Hamzai: Por, ju do “ta vuani” kërshërinë e publikut. E besoni ende e kam shijen e ekspozitës “Molla” dhe ishin të tjera ngjyra nga të tuat, që ishin punuar për të dhënë rezonancën që krijonte aq bukur atë kontrastin e ndëshkimit të mollës me ekzistencën e pafajshme të saj.... Unë nuk flas dot si specialiste arti, por po ju flas si publiku. Ndaj më mbetet t’ju pyes, pse aty intrigon vetëm femra?

Gazmend Leka: Ti vërtet e thua që unë flas si publik, por ti flet si gazetare e kulturës. Gazetaret e kulturës janë shumë të informuara. Më pëlqen mënyra sesi e lidh femrën që unë bëj sot, me mënyrën sesi ishte dje në atë ekspozitë. Në pikëpamje ideore ato s’kanë lidhje fare. Aty është momenti kur Evën, apo Havanë e përjashtuan nga Parajsa, pra nga ajo bukuria e madhe e jetës, nga harmonia që ka pasur njeriu dikur dhe bëhet fjalë për sakrifikimin e saj.

Dhe unë me veprat e mia dua të shpreh dashurinë ndaj femrës. Ajo është shumë e sakrificës, në jetën familjare, qoftë edhe në jetën shoqërore, janë shumë më të dashura femrat. Është shumë- shumë interesante të kuptosh sesi ti kur di të kujdesesh për femrën, për gruan, për vajzën merr shumë dashuri.

Gazmend Leka është një artistët më të vyer të artit shqiptar, profesor i shquar në Universitetin e Arteve dhe ekzekutues brilant i cikleve piktorike.

Ekspozita “kaloi një grua e piktorit Gazmend Leka vjen si një poemë epiko-romantike ne dekorin e cikleve voluminoze, një periudhë e re krijimtarie që nisi rreth 7 vjet më parë me ciklin “Symbolon”.

Janë këto përparëse pune, të kthyera vetvetishëm në vepra artit, dëshmitare të spektaklit të krijimit.

Gazmend Leka: Aty është dhe përparësja e ciklit “Molla”, e “Hapave të humbura”, sepse unë një përparëse e mbaj një vit dhe nuk e heq, e mbaj si një vepër arti. Ndaj kur m’i kërkojnë ua jap koleksionistëve me shumë dëshirë.

Të gjitha këto quhen si qeliza të nisjes së një cikli të gjatë dhe të mundimshëm pune.

Këto përparëse pune janë dëshmi muzeale e cikleve të mëdha që piktori Gazmend Leka i ka titulluar “Molla,” “Natura Morta,” “Taso,” “Lutja,” “Dhoma e hapave të humbur,” deri tek imazhi apokaliptik i “Noe”-s, vetë alteregoja e artistit, një interpretim kulmor i veprës dhe arritjes së perspektivës, ku ai të shfaqet si një  simbol antik i veshur me petkun bashkëkohor.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?