TIRANË- Për specialisten e Institutit të Shëndetit Publik, Jonida Haxhiu dje në ditën e parë të shkollës, ka "çaluar" një nga hallkat kryesore për respektimin e masave anti-COVID, që është familja. Në një intervistë për Report Tv, me gazetaren Doris Sallaku, Haxhiu tha se prindërit duhet të shërbejnë si model për fëmijët e tyre, por kjo nuk u pa dje jashtë oborreve të shkollave. Ajo u ka bërë thirrje që të kenë më tepër komunikim me fëmijët e tyre, në mënyrë që respektohen masat dhe të parandalohet një përkeqësim të situatës.
"Dje ishte dita e parë e shkollës dhe të gjithë vumë re që përtej mureve të shkollës ishte shumë shqetësues, ishte një situatë që në shumicën dërrmuese nuk u respektuan masat. Ishin prindërit që nuk u kujdesën aspak për distancën dhe maskën, gjë që na shqetëson për impaktin që ka te numri. Te shkolla pati një impenjim maksimal për të respektuar masat. (...) Ajo që kemi vënë re është se në familje nuk ka ndodhur informimi, edukimi, biseda me fëmijët lidhur me nevojën e mbajtjes së maskës. Prindërit të bisedojnë me fëmijët, të bëjnë të kuptojnë që është një nevojë. Për prindërit të japin modelin e zbatimit të rregullave, nëse fëmija do e shoh të zbatuar nga prindërit, do jetë më i prirur dhe shkolla do e ketë më të lehtë. Është e rëndësishme që në këtë proces të vështirë, t'i bëjmë thirrje familjeve dhe komunitetit në këtë situatë të vështirë", tha Haxhiu
Ajo është shprehur se nëse do të përseritej ajo panoramë, do të kishte një rritje të rasteve me COVID.
"Situata e djeshme e mbipopullimit jashtë oborrit shpresojmë të ketë qenë e lidhur me traditën e përcjelljes së fëmijëve në ditën e parë apo të rrëmujës së orareve. Do mund të ketë edhe pasoja në shtimin e rasteve pozitive. Për sa kohë do të ketë grumbullime të personave, shton rrezikun e infektimit dhe shtimit të numrit të të infektuarve", tha ajo.
Në fund, specialistja e ISHP-së, tha se te të vegjëlit është e vështirë mbajtja e maskës, por bëhet për të mirën e shëndetit të të gjithëve.
"Fëmijët është parashikuar që vështirë mbajtja e maskës për një kohë të gjatë, prandaj nga klasa 1-5 është diçka pozitive mbajtja e maskës, ndërsa për më të rriturit është e detyrueshme. Parashikohet të jetë e vështirë, të jetë stresuese. Nuk është e lehtë, por është një situatë që na mbron shëndetin dhe jetën e të gjithë familjes dhe gjyshërve", përfundoi Haxhiu.