Komisioni i Ekonomisë vendosi të shtyjë afatin për gjobat për tre kategori biznesesh që nuk kanë nisur ende fiskalizimin. Zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjero shpjegoi arsyet e këtij vendimi.
Vasilika Vjero: Kërkojmë shtyrje të afatit për penalitete sa i takon fiskalizimit. Administrata tatimore ka vënë re që një numër i madh tatimpaguesish të vegjël nuk ishin të përgatitur me certifikata dhe softe për të nisur fiskalizimit. Nga ana tjetër 30% e tatimpaguesve të vegjël nuk e kanë përmbyllur këtë proces sipas afateve të ligjore. Prandaj për tatimpaguesit që kryejnë transaksione me para në dorë të mos gjobiten deri në muajin qershor, duke ju lënë mundësinë bizneseve që të përgatitet, të informohen dhe trajnohen më shumë nga administrata, pa pasur shqetësimin se mund të ndëshkohen. Gjatë procesit të vlerësimit është vrenjtur se ka edhe tatimpagues që ushtrojnë aktivitetin për shërbime utilitare si ujësjellës, OSHEE që kanë mori të lartë transaksionesh dhe duhet të lëshojnë fatura të fiskalizuara. Janë 23 ujësjellës që ende nuk e kanë përfunduar, nuk kanë ngritur infrastrukturën e duhur, e njëjta gjë ndodh edhe me OSHEE që janë kompani të mëdha që kërkojnë edhe sisteme më komplekse, pasi OSHEE lëshon deri në 1.5 milionë fatura në muaj, dhe kërkon një sistem shumë të mirë për tu lidhur dhe raportuar të dhënat. Nga OSHEE është marrë aprovimi që sistemi do të jetë gati në fund të muajit prill, dhe penalitetet për këto kategori të shtyhen deri në fillim të gjashtëmujorit të dytë të këtij viti. Kategoria e tretë që përfiton nga kjo kategori janë institucionet financiare, edhe pse kanë qenë bashkëpunues dhe kanë ngritur në kohë sistemet e tyre për të transmetuar të dhëna, duke qenë se sistemet janë të reja dhe kanë një fluks shumë të madh të të dhënave që transmetojnë dhe mund të kenë gabime, ndaj të mos ndëshkohen për gabime qofshin edhe teknike, pra të mos aplikohen penalitete deri në fillim të gjashtëmujorit të dytë të këtij viti.
Teksa zëvendësministrja e Financave sqarojë, arsyet e shtyrjes së gjobave për këto kategori, Braçe tha se grumbulluesit në sektorin e bujqësisë po abuzojnë dhe nuk lëshojnë fatura të fiskalizuara, e për pasojë rrisin çmimet e produkteve bujqësore si për frutat ashtu dhe për perimet.
Braçe: E njëjta gjë është edhe në tregun e fruta perimeve. Sot domatja del nga Lushnjë me 35 lekë, tek dyqani poshtë shtëpisë është 220 lekë. nga Lushnjë në dyqan nuk ka asnjë faturë, zero dhe mungesa e kësaj fature bën që të dështojnë të gjitha faturat që kishim, të gjitha pa përjashtim. Ka sjellë një pasojë më të tmerrshme, ka grumbullues që kanë miliona euro pa paguar bujqve. Dhe më e keqja është që s’kanë një copë letër që ta vërtetojë, që filan grumbullues i ka x para një bujku. Prandaj bujku s’ka para për ta mbjellë tokën.
Vjero: Nuk kam informacion që nuk është i fiskalizuar. Edhe për produktet bujqësore, edhe ky sektor nuk ka arsye që të mos jetë i fiskalizuar, s’kemi raportime që s’ka nisur fiskalizimin. Procesi i fiskalizimit të tyre ka përfunduar deri në fund të muajit dhjetor pasi janë biznese të mëdha. Sa i takon fermerëve të vegjël po ju japim dhe 6 muaj kohë për tu fiskalizuar.
Në fund me ironi kishte dhe një kërkesë për përfaqësuesit e ministrisë së Financave.
“Pyete kryeministrin se vajti e bleu domate, mori faturë të fiskalizuar për atë që bleu? Pyete. Po kush ta pyes unë?”, tha Braçe.
Në fund të seancës, komisioni i Ekonomisë vendosi që të ketë një seancë të posaçme mbi ecurinë e deritanishme dhe problematikat e fiskalizimit.
Lajmi kryesor:
Sektori i hidrokarbureve i pafiskalizuar? Debate tek ‘Ekonomia’, Braçe: Një koncesionar po mban peng procesin, do të krijojë monopol
//ReportTv.al