‘Grupe kriminale të Raidoçiçit veprojnë ende në Veri’/ Eksperti i sigurisë Elezi: Kurti në Turqi për armatime

3 Qershor, 15:54| Përditesimi: 3 Qershor, 17:17

  • Share

Aktivitetet dashakeqëse të Serbisë në Kosovë, e veçanërisht në veri të saj, vazhdojnë pavarësisht se thirrjes së ndërkombëtarëve për dialog, prej kohësh.

Së fundmi, policia e Kosovës ka gjetur në veri të vendit uniforma policore serbe, si dhe 20 uniforma policore me logo të policisë së Kosovës.

Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti zhvilloi një vizitë në Turqi, ku takoi presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Forca e Sigurisë së Kosovës po pasuron arsenalin e saj me armatim turk, si dronët bajraktarë, ndaj kjo dyshohet se është arsyeja kryesore e vizitës së Kurtit në Ankara.

Në lidhje me këto zhvillime, i ftuar në “Sot Live” me Nertil Agalliun në Report Tv, ishte eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Elezi u shpreh se uniformat e policisë serbe dhe ato të policisë së Kosovës, të gjetura në Veri, tregojnë se Serbia po vazhdon aktivitetin e saj kriminal në 4 komunat me shumicë serbe.

Ai shtoi se ekziston mundësia që grupet kriminale serbe në Veri të jenë nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, po ashtu organizator i sulmit të Banjskës, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

 “Policia e Kosovës ka vazhduar sërish aktivitetin e saj në 4 komunat me shumicë serbe, në zonat në të cilat përkatësisht dyshohej edhe më parë që po organizohen aktivitete të kundërligjshme. Gjatë këtyre aktiviteteve që ka hasur policia e Kosovës sërish ka hasur në pajisje policore, në rastin konkret me uniforma me logo të policisë së Kosovës, gjithashtu në këtë vend janë gjetur dhe uniforma që kamë logo të policisë së Serbisë. Këto janë tregues i qartë se grupet terroriste veprojnë ende në atë zonë. Po ashtu, të njëjtët përdorin uniforma të policisë së Kosovës, po ashtu ekziston rreziku që të legjitimohen tek qytetarët e Kosovës si pjesëtarë të policisë së Kosovës”,-tha Elezi.

“Besoj që ekziston akoma rreziku të kemi aktivitete të grupeve terroriste që kontrollohen dhe udhëhiqen nga Raidoiçiç në territorin e Republikës së Kosovës”,-shtoi ai.

Vizitën e Kurtit në Turqi, Elezi e cilësoi si hap që tregtia e armatimeve mes dy vendeve të rritet, me qëllim që FSK të modernizohet e fuqizohet me armatim turk.

“Ju e dini që Forca e Sigurisë së Kosovës është lejuar nga NATO që të ketë dhe armatime të rënda dhe bashkëpunimi eventual me Turqinë konsiderohet si një mundësi reale dhe e mirë që FSK të pajiset. Dhe vendimi që Kuvendi i Kosovës ka marrë që vendi të ketë aktivitete të shtuara me Turqinë sidomos te pjesa që kanë të bëjnë me ushtrinë, atëherë mund të them që edhe vizita e kryeministrit të Kosovës ka të bëjë me çështje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, posaçërisht në çështjen e tregtisë së armatimeve”,-deklaroi Elezi.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?