“Njeriu është shprehur shpirtërisht me aktin, që kur ndërtoi murin e parë. Edhe e pikturoi atë.
Sepse ashtu si me hijen e vet, njeriu u përball me murin.
Aty mati veten edhe të tjerët.
Mbi mur njeriu u dha sipas mendjes së tij formë perëndive.
Njeriu mbi mur, duke kërkuar shpirtëroren krijoi edhe krahasimin e parë të vlerave.” (Rudi Erebara-kurator)
Filozofia e murit si objekt dhe subjekt ka bashkuar artistët më të mirë, jo vetëm nga Tirana, por dhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë . Galeria e re e artit të Tiranës në Rrugën e Kavajës është kthyer në një rezidencë mikpritëse për veprat artistike. 12 artistë bashkëkohorë, të njohur si “Grupi 86” kanë çelur sëbashku ekspozitën e parë “Muri”, ku përfshihen të gjitha zhanret, pikturë, skulpturë, instalacion dhe vepra satirike.
Ata janë Adrian Devolli, Arben Meksi, Leon Çika, Luan Boriçi, Mira Kuçuku, Agron Polovina, Fatmir Tufina, Fatmir Minga, Violeta Kongo, Llambrini Dena, Mariana Goxhabelliu. Ftesa e drejtorit të Galerisë së Tiranës Abaz Hado për të gjithë artistët i kapërcen kufijtë e një ekspozite.
“Janë artistë konteporanë, artistë modernë që i kanë thënë tone artit shqiptar, në shumë mediume të arteve pamore”, -tha drejtori i Galerisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili kërkoi bashkëpunimin dhe premtoi edhe çeljen e një muzeu të artit me veprat e përzgjedhura nga artistët që do të ekspozojnë në këtë institucion.” –tha dretori i Galerisë së Tiranës Abaz Hado.
Kësaj ekspozite i bashkëngjiten veprat e dy artistëve të mirënjohur të ndarë nga jeta; piktori Mustafa Arapi e skulptori Arben Bajo.
“Kjo galeri u promovua me ekspozitën e këtyre artistëve. Mustafa Arapi dhe Arben bajo ishin dy nga artistë më të mirë shqiptarë, që lanë pas vepra dinjitoze”, tha Hado.
Mustafa Arapi kujtohet me dashuri nga artistët, ndërsa e bija përlotet, sapo nis të flasë…
“Do të kisha dashur që babi të ishte këtu. Por falë veprave të tij ai është gjithmonë pranë meje, pranë familjes tonë dhe pranë miqve të tij. -tha vajza e piktorit Mustafa Arapi.
Një risi sipas Bujar Kapexhiut, karikaturistit të njohur, janë edhe ekspozimet në këtë zhanër
“Të gjithë artistët unë i çmoj shumë, por dua të theksoj në këtë intervistë edhe një gjë të veçantë; karikaturisti dhe arkitekti i njohur Arben Meksi ka ardhur në këtë ekspozitë me katër vepra të tij në karikaturë, që nga materiali në letër i ka derdhur në telajo, dhe është e hera e parë që i jepet hapësirë edhe zhanrit të karikaturës në këtë galeri”, -tha Bujar Kapexhiu.
Ndërsa Arben Meksi rrëfen historinë e veprave të tij, disa pre të cilave kanë marrë edhe çmime ndërkombëtare, si dhe mesazhet që ato përcjellin.
“Ideja karikaturës me pëllumbin është si një thirrje për të ndaluar njeriun që po pret pyjet dhe dëmton natyrën. Tek kjo tjetra është një njeri i vetmuar që i bën një fotografi, një selfie vetes së vet, sepse i mungon prania e njerëzve të tjerë”, tha karikaturisti i njohur Arben Meksi.
Artistët janë të emocionuar që Galeria e Tiranës u lë hapësirë për prezantimin e krijimtarisë, janë të emocionuar që kjo galeri u dha mundësinë të pëballen dhe të diskutojnë me njëri- tjetrin veprat e artit.
Veprat e artit vërtetë kanë nevojë për murin që të mbështeten dhe të ekspozohen, por duke parë edhe njëherë skulpturën e Arben Bajos dhe këto piktura të Mustafa Arapit, kuptojmë se në faqen e një muri artisti shpesh mbërthen fatin e tij. Me krijimtarinë e 12 artistëve, piktorë, qeramistë, grafistë, muri bëhet simboli, që shpjegon më së mirë se çdo gjë tjetër, njeriun.
Kuratori Rudi Erabara shprehet se jeta e njeriut është e lidhur me murin si lëkura pas mishit. Muri është vendi ku njeriu vari etalonet me një gozhdë. Në faqen e murit njeriu ka mbërthyer edhe shpresën për të arritur të jetë i pavdekshëm.