‘AliBasha tallet me veten, pranuan Kuvendin e 11 dhjetorit’. Kështu e komentoi Sali Berisha vendimin e grupit të Alibeajt për t’u tërhequr nga bashkimi i 2 statuteve që t’i hapet rrugë gjykimit të vendimit të Zhukrit për kontrollin e PD.
Në daljen për mediat, Berisha vijoi akuzat ndaj Edi Ramës se ka marrë peng vendimin e gjykatës të Shkallës së Parë dhe nuk lejon regjistrimin në regjistrin e partive politike. Ndërsa për grupin e Alibeajt, thotë se nuk mund të bëhen palë në proces dhe sipas tij, e vetmja gjë që bëjnë është zbatimi i urdhrave të Ramës.
“Komenti im, AliBasha tallet me veten e tij. Kur dëgjova që AliBasha deklaronte se unë zvarrit në një kohë kur ishte avokat i tyre që në 4 seanca dhe gjykata përdorte si pretekst mungesën e avokatit të tyre në 4 seanca, është të tallesh me veten. Vendimi i gjykatës së Tiranës është i prerë i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive politike dhe shoqatave pranë gjykatës. Edi Rama ka marrë peng vendimin e gjykatës dhe nuk lejon regjistrimin. AliBasha apo quaje si të duash në asnjë vend të botës, askush veç në drejtësinë e Ramës s’mund të bëhet palë në një proces ku nuk ka qenë palë. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e botës dhe është absolutisht i pavlerë. AliBasha ka të drejtë të shkojë në gjykatën e fatit dhe për çdo objekt, dokument, provë, të hapë një proces të ri por jo të bëhet palë në një proces ku nuk ishte. AliBasha de facto pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit por zbaton urdhrat e Ramës”, tha Berisha.
Komenti i Berishës erdhi pasi grupi i Enkelejd Alibeajt hoqi dorë nga ankimimi për bashkimin e 2 statuteve të Kuvendit të 17 Korrikut dhe 18 Dhjetorit në mënyrë që t’i hapet rrugë në Apel gjykimit të vendimit të Agron Zhukrit se cili prej grupeve do të jetë në krye të Partisë më të madhe opozitare në vend. Nëse vendimi i Zhukrit cilësohet i drejtë atëherë kontrollin e PD-së e merr Sali Berisha, nëse Zhukri rrëzohet atëherë Partia Demokratike i takon Enkelejd Alibeajt dhe Berisha e mbështetësit e tij mbeten pa parti.
Nga ana tjetër, Berisha u fokusua tek seanca që do mbahet ditën e nesërme duke i bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të gjykojnë me paanësi për pavlefshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës pasi bashkëshorti i saj është investitor strategjik dhe ka konflikt interesi që të qëndrojë në detyrë.
Ditën e nesërme, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë nëse ka qenë i drejtë apo jo vendimi i Kuvendit për t'u çuar në gjykatë mandati i Xhaçkës. Për këtë arsye, Sali Berisha i ka bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të gjykojnë me paanësi seancën e nesërme për mandatin e Xhaçkës.
Në daljen për mediat hodhi akuza ndaj qeverisë se mbron Xhaçkën që sipas tij shkel ligjin pasi bashkëshorti i saj është investitor strategjik.
“Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre. Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milionë euro favore.
Kushtetuta e Shqipërisë ka qindra nene, por njëri nga këto nene, do ta quaja si nenin e artë, ai është neni që nuk lejon në mënyrë kategorike deputetët dhe ministrat, të pasurohen nga pasuritë publike gjatë periudhës që ushtrojnë detyrat apo burime të tjera përveç rrogës. Ky nen është shkelur në mënyrën më flagrante, kur ministrja Xhaçka siguron për burrin e saj strategjik, statusin e investitorit strategjik. Xhaçka kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane, me banim në Boston, si bashkëpronare në këtë aferë të tmerrshme korruptive.
Amant Josifi, njeriu që ka vjedhur 2.2 miliardë euro, i lidhur kokë e xhep me Olsi Ramën dhe Olta Xhaçkën, ka mobilizuar potencialin e tij financiar për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam këtu para jush për t’u bërë thirrje gjykatësve, të gjykojnë nesër me paanësi, bazuar në ndërgjegjen e tyre, mbi interesin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit. Gjykimi i nesërm është një provë e fuqishme e triumfit të Kushtetutës”, tha Berisha.
Pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës, Rithemelimi dhe Partia Demokratike e depozituan në Gjykatë Kushtetuese duke e cilësuar si “anti kushtetues”. Kuvendi votoi me 74 vota pro, raportin e mazhorancës të Këshillit të Rregullorës, që bllokonte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës. Nuk dihet ende se si do ta interpretojë një kërkesë të tillë Gjykata Kushtetuese, por nuk përbën logjikë ligjore që të çosh një vendim të një institucioni që në rastin konkret e ka tagër Kuvendi.
PD dhe Rithemelimi kërkojnë heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi e akuzojnë se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.
Lajmi kryesor: