‘Grupi i madh, por paratë e vogla!’, Karanxha dhe Petraj komentojnë operacionin ‘Ura’ për Report Tv: Krerët janë në kërkim, aksioni ka pikëpyetje

21 Maj, 20:33| Përditesimi: 21 Maj, 20:47

  • Share

Ish-prokurori Ervin Karanxha dhe avokati Edmond Petraj kanë komentuar zhvillimet lidhur me operacionin ‘Ura’ të ndërrmarë nga SPAK mëngjesin e sotëm. Të dy të ftuarit kanë komentuar për Report Tv zhvillimin e aksionit dhe kanë treguar detaje lidhur me këtë operacion.

Sipas ish-prokurorit Karanxha, hetimi ka nisur që në vitin 2021 në Itali, ku janë kapur disa ngarkesa të dyshimta dhe janë përdorur të dhëna nga aplikacioni SKY ECC.

“Procedimi penal ka qenë gjithmonë dinamik dhe i mbajtur në ndjekje. Janë bërë kontrolle në Durrës ku është gjetur një sasi e madhe parash. Transporti bëhej përmes një autobusi të linjës Fier-Durrës, ku në çanta ishin thasë me para për një grup të strukturuar kriminal në Durrës.” - tha Karanxha.

Ai theksoi se ende nuk ka emra konkretë të dhënë nga SPAK dhe theksoi se pjesa më e madhe e personave kryesorë janë në kërkim.

“Bëhej fjalë për një autobus që ishte i linjës së Fierit, ku ishin çanta me thasë për një grup në Durrës. Emra konkretë nga ana e prokurorëve të SPAK-ut nuk ka. Shqiptarët nga vendet e Amerikës Latine çojnë drogë në Perëndim. Prokurori i Anti-Mafias italiane tha një fjalë aty, që ne kemi ndjekur paratë. Duke ndjekur paratë ata kanë bërë dhe zbulimin. Është një arritje pak a shumë. Ka prova materiale të sekuestruara, ku dhe këtu në Shqipëri janë bërë disa sekuestrime. Personat kryesorë janë në kërkim.”- tha Karanxha

Avokati Edmond Petraj tha se pjesa e bashkëpunimit dhe e të dhënave nga të penduar si Nuredin Dumani e ka bërë ‘lëmsh’ situatën.

“Ai i ka bërë lëmsh të gjitha. Më duket pak jo e fortë ajo pjesë. Kur flasim për një grup kaq të madh, sipas italianëve, dhe të kapësh një shumë kaq të ulët parash, nuk është diçka që përputhet me një rrjet ndërkombëtar të nivelit të lartë. Nëse ka një grup të madh, duhet të dalin shifra marramendëse. Aksionet e mëdha shpesh janë paraqitur si të mëdha, por në fund kanë dalë ndryshe. ” -tha Petraj.

Të dy të ftuarit u bashkuan në pikën se verdikti përfundimtar do të vijë vetëm kur të publikohet vendimi i gjykatës.

“Aty do të shihet gjithçka nga rrjeti i komunikimeve deri te mënyra se si janë ekzekutuar transaksionet kriminale,” - përfundoi Petraj.

 

H.K/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?