Grupi i Partisë Demokratike takohet me delegacionin e Parlamentit Europian, që ndodhet prej ditës së sotme në Tiranë.
Kreu i grupit, Gazment Bardhi, u shpreh se “integrimi i Shqipërisë është synim politik dhe arritje e shqiptarëve”, por sipas tij “nuk mund të rrimë pa folur për të vërtetat”.
“Ne kërkojmë hetim parlamentar që na refuzohet nga shumica. Sot në takimin e KPSA e bëjmë në një hotel, sepse mazhoranca na ka ndëshkuar ne si opozitë. Ne ndjekim rrugën ligjore për çështje që mendojmë se janë në shkelje të kushtetutës, shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe fitojmë çështjen për mandatin e një personi shumë pranë Edi Ramës, znj. Olta Xhaçka, që është ish-ministre e jashtme, por që mazhoranca refuzon të zbatojë vendimin e GJK”, tha Bardhi.
Më tej ai akuzoi qeverinë për lidhje me krimin.
“Ne në fushatë nuk kemi përballë deputetët e mazhorancës që ju kishit sot takim. Por siç tregojnë përgjimet e prokurorisë Belge, ne kemi bandën e Abdylajve dhe Hajrajve dhe që siç tregojnë përgjimet i kanë diktuar KM se cilët janë deputetët. Madje përgjimet tregojnë se kush do caktonte numrin 5 në listën e PS Durrës dhe siç faktet tregojnë ato caktuan kandidatët. Na qëndroni afër në këto momente, sepse i duhet vendit këndvështrimi juaj”.
Kurse deputetja Jorida Tabaku vuri theksin te refuzimet që mazhoranca i bën opozitës, duke përmendur komisionet hetimore dhe mungesën e vullnetit nga PS.
“Ne, ndërkohë po punojmë për të vërtetat që nuk shkruhen përherë në raporte siç janë. Ndaj duhet t’i themi gjërat siç janë. Ne si opozitë, personalisht unë, kemi punuar me dëshirë dhe me çdo formë për të qenë ky proces integrimi gjithëpërfshirës. Mirëpo fatkeqësisht nuk gjejmë të njëjtin vullnet tek mazhoranca. Komisionet hetimore nuk na jepen dhe kjo ka shkak sepse mazhoranca ka frikë. Pak vite më parë drejtova një Komision Hetimor për inceneratorët që zbuloi një skemë që sot ka shumë përpara drejtësisë përfshirë një ish zëvendëskryeministër që është në kërkim ndërkombëtar. Nga ajo ditë janë refuzuar 9 komisione hetimore që janë mekanizëm në dorë të opozitës”, tha Tabaku.
Më tej ajo ngriti shqetësim edhe për situatën zgjedhore të vitit të ardhshëm.
“Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe fatkeqësisht ne ende nuk kemi një reformë të plotë zgjedhore bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR, një reformë që nuk ka ndodhur në Shqipëri dhe vullneti opozitës qëndron por jo i shumicës. Ne kemi bërë disa ndryshime zgjedhore për të adresuar disa ndryshime të kërkuara për votën e diasporës, mirëpo fatkeqësisht qeveria po përdor çdo mjet shtetëror për interes partiak. Ashtu siç thotë raporti OSBE-ODIHR, KM Rama po përdor stafin diplomatik për votën e emigrantëve dhe të diasporës, duke dhënë shembullin ekselent se si është partia-shtet”, tha deputetja.
Ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi e shtyu më tej mendimin e tij për aspektin zgjedhor, duke ngritur shqetësime për manipulime të mundshme nga qeveria.
“Nëse BE i merr këto pika dhe e kthen në skaletë kontrolli, duke zbërthyer problemet që krijohen dhe duke ia pamundësuar qeverisë Rama që të manipulojë zgjedhjet. Dua të prek dhe çështjen e drejtësisë. Ne donim një drejtësi të pavarur, funksionale dhe të pakorruptuar dhe jo një reformë që zvarritet prej 10 vitesh që është më keq se sa kur s'qe reformuar”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Opozita çon debatin politik në Komisionin Parlamentar BE-Shqipëri! Eurodeputetët ‘shuplakë’ PD-së: S’doni t’ia dini për BE, bëni fushatë me integrimin
A.Q//ReportTv.al