Grupi Kastrati prezanton bursat për pilotët e rinj shqiptarë

11 Shtator, 10:15| Përditesimi: 11 Shtator, 10:19

  • Share

Kastrati Group do të ofrojë bursa studimi në mbështetje të të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin karrierën e tyre në Akademinë e Pilotëve të Wizz Air. Kjo mbështetje vjen në kuadër të programit ‘Kastrati for Education”, një program i dedikuar për zhvillimin e arsimit në vend.

Gjatë konferencës për shtyp, Sokol Kreçi, përfaqësues i Grupit Kastrati, tha: “Jemi krenarë të përfshijmë në programin tonë ‘Kastrati for Education’ bursat për pilotët e rinj shqiptarë. Qëllimi ynë është të nxisim interesin e të rinjve drejt profilizimit në profesione të tilla, në mënyrë që kompania jonë dhe jo vetëm, të kenë mundësi të punësojnë profesionistë të përgatitur.” 

Pjesëmarrësit e programit do të përfitojnë nga një edukim pilotësh të nivelit të lartë, duke fituar aftësitë për t'u bërë First Officer (Oficer i Parë) brenda 18-21 muajve. Pas përfundimit të trajnimit, kadetët do të hyjnë në një rrugë karriere të përshpejtuar, me programin që garanton mundësinë për të gjithë ata, të cilët diplomohen me sukses.

Kjo nismë do të ndihmojë në formimin e së ardhmes së aviacionit në Shqipëri.

“Aviacioni civil është kthyer tashmë në një sektor dinamik, ndaj na duhet të sigurojmë fuqi punëtore profesioniste. Nëse ju referohemi të dhënave të fundit, ku deri në vitin 2050 parashikohet dyfishim i pasagjerëve në aeroporte, e sipas parashikimit të kompanisë Boeing deri në 2042 do të kërkohen 150 mijë pilotë,160 mijë inxhinierë dhe 250 mijë staf në kabine, që do të thotë se aviacioni civil do të jetë mënyra më e preferuar e transportit” tha Maksim Et’hemaj, Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil

Përfaqësuesi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës vlerësoi akademinë e pilotëve si një mundësi shumë e mirë për të rinjtë shqiptarë në mënyrë që të integrohen në karrierat evropiane të aviacionit.

“Në vazhdim të kësaj nisme, Kastrati Group do të krijojë akademinë për përgatitjen e stafit që ofron shërbimet aeroportuale. Kjo nismë shumë e rëndësishme duke marrë parasysh zgjerimet dhe ndërtimet e reja aeroportuale në Shqipëri.” tha Arjan Puka, përfaqësues i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Programi ‘Kastrati for Education’ do vijojë me iniciativa të tjera të rëndësishme në fushën e arsimit dhe zhvillimin e komunitetit duke kontribuar në mbështetjen e talenteve të reja dhe në rritjen e profesionistëve në Shqipëri.

S.G//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?