Ndërpritet ndeshja në Peqin, grushta dhe sherr masiv mes ekipeve! Nën hetim shefi i klubit dhe zv.trajneri! Mehmeti për 'Report TV': Të paktën shpëtuam gjallë

12 Shkurt 2023, 14:51| Përditesimi: 12 Shkurt 2023, 17:33

  • Share

Ndeshja e javës së 12-të në Kategorinë e Dytë mes Shkumbinit dhe Delvinës është ndërprerë pas vetëm 10 minutash loje, për të mos vazhduar më. Për diçka të tillë në stadiumin e Peqinit janë kujdesur lojtarët dhe stafet respektive, me arbitrin që dërgoi ekipet në dhomat e zhveshjes.

Pas golit të miqve nga Delvina me Mustën (minuta 10), një sherr masiv ku u përfshinë futbollistët dhe stafet pushtoi fushën. Grushtat dhe ofendimet vijuan dhe pas 20 minutash ndërprerje, arbitri Klajdi Qëndro vendosi që takimi për arsye sigurie të mos luhej më. Me gjasë Disiplina pranë FSHF-së do vendosë fitoren 0-3 të Delvinës në tavolinë.

Trajneri i Delvinës, Donald Mehmeti, në një intervistë për Report TV, thotë se drejtuesit i Shkumbinit dhe futbollistët nisën menjëherë dhunën pas golit të realizuar ndaj peqinasve. Mehmeti sqaron se ekipi kundërshtar erdhi t'i godiste në pankinën ku qëndronin. Kjo nuk është hera e parë që në stadiumet shqiptare ndërpriten ndeshjet për arsye sigurie, teksa në kategoritë inferiore ka pasur edhe rrezikim të jetës së futbollistëve.

Policia bën me dije se ka proceduar penalisht për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës", shtetasit F. H., 52 vjeç, banues në Peqin, me detyrë shefi i klubit të futbollit të K. F. Shkumbini dhe shtetasin Arjan Guga 66 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë, zv.trajner i klubit të futbollit të K. F., Delvina.

Momenti i takimit të futbollistëve para ndeshjes

Ora 17:05
Sherri në Kategorinë e Dytë të futbollit, policia: Nën hetim shefi i klubit dhe trajneri

Sherri në Kategorinë e Dytë mes Shkumbinit dhe Delvinës për javën e 12-të të kampionatit bëri që dueli të ndërpritej pas minutës së 10-të, me stafet respektive që u përleshën mes tyre. Policia bën me dije se ka proceduar penalisht për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës", shtetasit F. H., 52 vjeç, banues në Peqin, me detyrë shefi i klubit të futbollit të K. F. Shkumbini dhe shtetasin Arjan Guga 66 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë, zv.trajnier i klubit të futbollit të K.F.Delvina.

"Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Peqinit, kishin marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve K. F. Shkumbini dhe K. F. Delvina, e cila filloi në orën 13:00, në stadiumin e qytetit të Peqinit.

Masat për sigurinë brenda stadiumit i kishte marrë Policia Bashkiake, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, sipas regullores, kishin marrë masa për sigurinë në perimetrin e jashtëm të stadiumit.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, në momentin kur ekipi i Delvinës shënoi gol, stafi i ekipit të Shkumbinit është konfliktuar me stafin e ekipit të Delvinës dhe për këtë arsye arbitri kryesor ka ndërprerë ndeshjen.

Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin dhe shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" të DVP Elbasan, që ndodheshin në sigurimin e perimetrit të jashtëm të stadiumit, kanë ndërhyrë në stadium  duke parandaluar përshkallzimin e konfliktit dhe kanë  bërë sigurimin e të dy ekipeve, K.F. Delvina dhe K.F. Shkumbini.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin proceduan penalisht për veprën penale " Kanosja për shkak të detyrës", shtetasit F. H., 52 vjeç, banues në Peqin, me detyrë shefi i klubit të futbollit të K. F. Shkumbini dhe shtetasin A. G. 66 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë, trajnier i klubit të futbollit të K. F., Delvina.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë, pas vendimit të arbitrit për mos rifillimin e ndeshjes, kanë bërë shoqërimin deri në dalje të territorit të qarkut Elbasan, të lojtarëve dhe të stafit të ekipit të Delvinës", njoftojnë blutë.

Ora 16:39
‘Të paktën shpëtuam gjallë’, trajneri i Delvinës rrëfen dhunën për Report TV: Nuk organizohet ndeshja me 2-3 policë

Trajneri i Delvinës, Donald Mehmeti, në një intervistë për Report TV, thotë se drejtuesit i Shkumbinit dhe futbollistët nisën menjëherë dhunën pas golit të realizuar ndaj peqinasve. Mehmeti sqaron se ekipi kundërshtar erdhi ti godiste në pankinën ku qëndronin, ndërsa cilëson si skandal numrin e pakët të forcave security të cilët ishin prezent për të organizuar këtë sfidë.

“Ndodhi një dhunë e papranueshme, aq më shumë për faktin se u përfshi dhe stafi i Peqinit. Mbetëm të shtangur sepse nuk kemi patur ndonjëherë përplasje me Shkumbinin. Sherri nisi në minutën e 8 pas golit që realizuam. Ai filloi të festonte dhe erdhi drejt pankinës tonë, por në atë moment shefi i klubit të Peqinit iu vërsul pankinës tonë duke na goditur bashkë me drejtuesit. Në ato moment filloi përplasje me të dy skuadrat,”-tha ai.

Trajneri i Delvinës tregoi se nga sherri masiv ka patur të lënduar.

Kemi të lënduar zëvendës trajnerin që ka patur krisje krahu për shkak të goditjes. Në kokë kanë marrë lëndime disa futbollistë, por të paktën shpëtuam gjallë. Forcat security dhe policët ishin shumë të pakët. Nuk e kuptoj sesi 2-3 policisë mund të organizojnë këtë ndeshje. Për 1 orë u mbyllëm në dhomën tonë të stadiumit para se të largoheshim me policisë,”-u shpreh ai.

Nga Delvina presin një dënim të ashpër të Shkumbinit nga ana e Komisionit të Disiplinës në FSHF. Madje trajneri Mehmeti tregoi se për shkak të dhunës së një tifozi ata janë dënuar me 1 vit të mos luajnë në fushën e tyre, ndërsa për një ngjarje të kësaj madhësie sipas tij duhet të merret një dënim më i rëndë.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?