Klubi i Futbollit Kukësi ka dalë me një komunikim zyrtar duke thënë se vëllezërit Gjelbrim dhe Shqiprim Taipi nuk janë larguar nga skuadra. Media të ndryshme raportuan sot se futbollistët do largoheshin në merkaton e janarit pas një sherri me drejtorin sportiv të klubit.
"FK Kukësi hedh poshtë lajmet e publikuara ditën e sotme në median e shkruar, aty ku aludohet për largimin e kapitenit Gjelbrim Taipi dhe mesfushorit Shqiprim Taipi. Klubi i Kukësit përgënjeshtron këto lajme të rreme dhe informon tifozët dhe median e shkruar se Gjelbrim Taipi dhe Shqiprimi Taipi janë dhe do të mbeten pjesë e ekipit tonë. Klubi i Kukësit i bën thirrje të gjitha mediave, të shkruara dhe vizive që të tregohen më të kujdesshëm në shkrimin e lajmeve të rreme dhe së pari, të tregohen profesionistë. Klubi i Kukësit ka qenë i hapur për mediat për çfarëdo lloj informacioni dhe në këtë mënyrë kërkon të konfirmojnë informacionet para se të publikojnë gjëra jo të vërteta", njofton Kukësi.
Duket se kapiteni Gjelbrim dhe vëllai i tij Shqiprim do vijonë të japin kontributin e tyre për fanellën e verilindorëve, me sezonin e Kukësit që është më i keqi në 10 vitet e fundit.