Guaido pritet në Shtëpinë e Bardhë

6 Shkurt 2020, 04:58| Përditesimi: 6 Shkurt 2020, 05:14

  • Share

Udhëheqësi i opozitës venezueljane Juan Guaido është takuar këtë të mërkurë në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Donald Trump. Takimi vjen në një kohë kur Guaido po përpiqet të rindezë fushatën e tij me qëllim largimin nga pushteti të Presidentit Nicolas Maduro.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë ku njoftohej vizita e zotit Guaido thuhej se “do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në rajon për t’u përballur me diktaturën në Venezuelë dhe do të qëndrojmë krah popullit të këtij vendi për të garantuar një të ardhme demokratike e të begatë”.
Vizita e zotit Guaido në Uashington është e fundit e një turneu botëror, që përfshinte takime me udhëheqës evropianë e kanadezë, si pjesë e përpjekjeve për të ringjallur fushatën e tij pas një revolte të pasuksesshme kundër zotit Maduro vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera njohin zotin Guaido si President të përkohshëm e legjitim të Venezuelës. Muajin e kaluar zoti Maduro ka bërë thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në dhe tha se palët mund të fitojnë në mënyrë të barabartë prej tyre. Zoti Maduro tha gjithashtu se kompanitë amerikane të naftës mund të përfitojnë financiarisht nëse Uashingtoni heq sanksionet ndaj Venezuelës, përfshirë kompaninë shtetërore të naftës, anëtare e OPEC-ut, “PDVSA”.

Ndërkohë të premten ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov pritet të takohet në Karakas me zotin Maduro në një shfaqje publike të mbështetjes për udhëheqësin socialist. Rusia i ka kritikuar sanksionet amerikane duke i cilësuar si të paligjshme e të dëmshme.

Opozita e udhëhequr nga zoti Guaido i ka kërkuar Uashingtonit të rrisë presionin ndaj Moskës për mbështetjen që i jep Venezuelës në aspektin diplomatik, ekonomik dhe ushtarak. Zoti Maduro fitoi një mandat të dytë në maj 2018-s ndërsa tetë muaj më vonë zoti Guaido e shpalli veten president të përkohshëm të Venezuelës./VOA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?