Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1 “Even the rain” është filmi që shfaqet mbrëmjen e kësaj të shtune, në 2 nëntor, në orën 19:00 në Qendrën e Artit “Agimi”. Kinematografia spanjolle sjell një seleksionim të veçantë filmash nga regjisorë të njohur që kanë lënë gjurmë në artin e shtatë, gjatë javës spanjolle të kulturës.
2 “Teza për një vrasje” (Thesis on a homicide) është filmi spanjoll që do të shfaqet më 3 nëntor, në orën 19:00 në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë. Filmi prezantohet në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle.
3 “Kujdes nga miku” është komedia me regjisor Armand Borën që do të vijë mbrëmjen e 3 nëntorit në orën 19:00 në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Shfaqja është një komedi familjare e ngritur mbi disa ngatërresa, të cilat prodhojnë situata komike.
4 “Kupa e Ambasadorit - (Karate e Judo)” mbahet këtë të diel më 3 nëntor në orën 10:00 paradite në Parkun Olimpik në Tiranë.
5 “Fausti” vijon të shfaqet në skenën e “Teatrit Kombëtar” edhe këtë të diel në orën 19:00. Shfaqja vjen nën regjinë e Davide Iodice me interpretim të aktorëve shqiptarë dhe është një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar, Teatrit të Sardenjës dhe Institutit Italian të Kulturës.