‘Guida’ kulturore/ ‘Hijet’ shfaqet për herë të parë te ‘Eksperimentali’, sonetet e William Shakespeare në Vlorë! Koncert te ‘Opera’

26 Tetor, 15:59| Përditesimi: 26 Tetor, 16:36

  • Share

“70 vjet me trashëgiminë e Franco Alfano” titullohet koncerti që mbahet mbrëmjen e 27 tetorit në orën 19:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në këtë përvjetor të veçantë, TKOB nderon njërin prej kompozitorëve më të shquar të shekullit të 20-të.

I njohur për përfundimin e operës “Turandot” të Giacomo Puçinit dhe krijimet e tij të thella, Franco Alfano sjell emocione që kapërcejnë kohën. Ky koncert është një homazh për shpirtin e tij artistik, ku çdo notë do të prekë zemrat e publikut, duke na kujtuar fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit dhe për të mbajtur gjallë një trashëgimi të pavdekshme. Koncerti realizohet me pjesëmarrjen e sopranos së TKOB-së, Ramona Tullumani, dhe sopranos Eriona Gjyzeli, nën shoqërimin e Jona Çegranit në violonçel dhe Ardita Bufaj në piano.

“Kosmos Tirana Music Festival” vjen në edicionin e tij të 3-të. Festivali çelet mbrëmjen e kësaj të shtune në orën 19:30 me një koncert në sallën “Ferdinand Deda” të Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Artistët do të interpretojnë disa pjesë muzikore mes të cilave “Suite Case” për dy violina nga Giovanni Sollima, Sonatinën nr. 1 në D major të Schubert, pjesë nga Dvorak, Haydn etj.

Koncerti i së dielës do të mbahet në sallën e Universitetit të Arteve në orën 19:30 dhe mes pjesëve muzikore që do të interpretohen do të jenë edhe Sonata për violinë dhe çelo e Ravel dhe Valle Brilante Çame nga kompozitori shqiptar Aleksandër Peçi. Festivali do të vijojë deri në 30 tetor dhe vjen nën drejtimin artistik të Jonian Kadeshës.

Për herë të parë në Shqipëri vjen pjesa teatrore “Hijet”, një produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë dhe Ministrinë e Kulturës.  Ky është një rast i veçantë për të eksploruar temat komplekse që autorja fituese e çmimit “Nobel”, Elfride Jelinek trajton me mjeshtri, dhe për të përjetuar fuqinë e artit teatral në një formë që sfidon perceptimet tona mbi jetën dhe kujtimin. Me regji nga Sabine Mitterecker do të interpretojnë aktoret Adriana Tolka, Albana Kocal, Flobensa Bazati. Shfaqja mund të ndiqet në 27 dhe 28 tetor në orën 19:00 në skenën e Teatrit Eksperimental.

Sonetet e Ëilliam Shakespare do të vijnë për të disatën herë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë mbrëmjen e 26 dhe 27 nëntorit, në orën 19:00. Kritikët i vlerësojnë Sonetet e Shekspirit për meditimin e thellë mbi natyrën dhe dashurinë, të vdekjes dhe të përjetësisë së kohës. Çdo sonet përmban gjithashtu një lëvizje të vazhdueshme dramatike që mund të shihet në leximin e tij përmes një lloj mesazhi moral, shpirtëror dhe filozofik, në të cilin na tregon kohëzgjatjen e shkurtër të Jetës Njerëzore dhe nevojën për ta shfrytëzuar atë sa më shumë. Spektakli do të bazohet në interpretimin nga një Grup Aktorësh, të Sonetave më të spikatura të Shekspirit. Shfaqja nën regjinë e Kristaq A. Skramit do të ngjisë në skenë aktorët Astrit Mamaj, Margent Çaushi, Alba Shtëmbari dhe Loris Sinanaj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?