Guida kulturore/ Koncerti ‘Side-by-Side’ në TKOB, shfaqja ‘Linda’, premierë në Teatrin Kombëtar! Mbahet Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe

21 Nëntor, 10:41| Përditesimi: 21 Nëntor, 10:57

  • Share

“Side-by-Side” me Schumann & Strauss është koncerti që do të vijë këtë të premte më 22 nëntor në orën 19:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Pjesë e këtij program të interpretuar nga sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaçamaku janë këngët Lieder, një formë muzikore që përqendrohet në ndërthurjen e fjalës me tingullin. Përmes tyre, publiku do të zbulojë poezinë e Schumann-it dhe interpretimin dramatik të Strauss-it.

“Linda” është shfaqja që vjen premierë në Teatrin Kombëtar këtë të premte në 22 nëntor në orën 19:00. Shfaqja nga Penelope Skinner vjen nën regjinë e Violeta Trebickës do të shfaqet edhe në 23 dhe në 24 nëntor.

“Realizmi Socialist” është ekspozita imersive që çelet më 22 nëntor në orën 19:00 në “Galerinë e Arteve Digjitale” në Korçë. Në këtë ekspozitë veprat monumentale të realizmit socialist marrin frymë përmes fuqisë dhe optikës bashkëkohore digjitale.

Manifesto “Great Ëave” është një projekt nga Qendra e Artit Bashkëkohor Debatik, që prezantohet këtë të premte në 22 nëntor, në orën 18:00 në Galeria “Zeta Contemporary Art Center”. Manifesti është një projekt multidisiplinar që mbledh së bashku artistë, kuratorë, historianë, arkitektë, shkrimtarë, teoricienë kulture etj.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka hapur thirrjet për konkurrim për filma artistikë me metrazh të shkurtër, dokumentarë dhe filma të animuar.

Thirrjet do të qëndrojnë të çelura deri më 3 dhjetor dhe dorëzimi i projekteve mund të bëhet gjatë kësaj periudhe prej orës 8:00 të mëngjesit deri në orën 16:30.

“Arti Bashkëkohor Kosovar në Kohën e Inteligjencës Artificiale” është aktiviteti që mbahet këtë të premte më 22 nëntor orën 17:00 në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Të pranishmit mund të angazhohen në një bisedë dhe të shohin ekspozitën e artistit Eshref Qahili. Aktiviteti është pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor.

“Tulla Culture” Tiranë. Të premten, më 22 nëntor, në orën 19:00 vjen shfaqja e parë e Platformës TULLA – LAP! Në Qendrën Tulla në Tiranë mund të ndiqni ekspozitën “Rrëmujë”  nga Llazar Dhimitri, “Mozaikët me fëmijët”- një prezantim nga artistët Saimir Strati dhe Aurora Strati, një teatër poetik nga Ina Baqoshi etj.

Më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik, ora 19.00 mund të ndiqni një aktivitet artistik të titulluar “Harmonia e Lirisë”. Shfaqja është konceptuar si një skenografi me piktura, poezi të zgjedhura dhe melodi zemre!

Në 21 dhe 22 nëntor, duke filluar prej orës 9:30 mbahet Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe. “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI” do të mbledhë gjuhëtarë, studiues, përfaqësues të shtetit dhe nga Ministria e Arsimit, për të diskutuar për çështje dhe problematika të gjuhës shqipe në ditët e sotme.

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?