‘Guida’ kulturore/ ‘Luçia Nadin dhe shqiptarët në Venedik’, dokumentari historik në ‘Millenium’! Virgjil Muçi prezanton librat e përkthyer në italisht në ‘Institutin Italian të Kulturës’

4 Nëntor, 10:27| Përditesimi: 4 Nëntor, 15:48

  • Share

“Luçia Nadin dhe shqiptarët në Venedik” është dokumentari historik, që do të vijë premierë ditën e martë më 5 nëntor në orën 17:00 në Kinema Millenium në Tiranë. Ky dokumentar është zhvilluar mbi premisat e kontributit albanologjik dhe të rejat e zbuluara prej prof. Luçia Nadin. Dokumentari dhe aktiviteti organizohet nga qendra “Shqipëria europiane”.

Një takim për përkthimin e librave në italisht të Virgjil Muçit do të mbahet këtë të martë më 5 nëntor, në orën 18:30 në “Institutin Italian të Kulturës” në Tiranë.  Takimi do të ketë si protagonist një prej autorëve më përfaqësues të panoramës letrare aktuale shqiptare dhe synon të udhëheqë publikun në një ekskursus interesant dhe magjepsës në histori që kujtojnë periudha vendimtare, të cilat kanë shënuar historinë e Shqipërisë.

“Profiles” titullohet ekspozita nga Satellite Zones që do të çelet te Qendra e Artit “Agimi” në Tiranë këtë të hënë, më 4 nëntor në orën 18:00. Ekspozita sjell krijimtarinë e një grupi artistësh të rinj dhe në zhvillim.

“The Urgent (artist) Open Studio” është ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur në “Bulevard Art Media Institute” në Tiranë.

Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri në 25 nëntor prezanton punën e gjashtë artistëve në zhvillim. Punimet e tyre janë zhvilluar prej disa muajsh si pjesë e Studios së Hapur Urgjente (artistë) dhe tashmë po hyjnë në dialog me publikun.

“Kush do të kujdeset për mua” është shfaqja teatrore që vjen në 4, 5 dhe 6 nëntor në orën 19:00 në teatrin “Metropol” në Tiranë. “Kush do të kujdeset për mua” është një dramë që eksploron temën e humanitetit në situata të tmerrshme dhe të pasigurta.

Galeria “Kalo” feston 10-vjetorin e krijimt të saj këtë të martë, më 5 nëntor, në orën 18:00, duke prezantuar disa prej punëve më përfaqësuese të koleksionit të saj të artistëve të njohur shqiptarë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?