“Le Horla” është shfaqja teatrore, frymëzuar nga tregimi klasik i Guy de Maupassant, që do të vijë në skenën e teatrit “Metropol” më 19 nëntor në orën 19:00. Shfaqja ndjek rrugëtimin e një njeriu të respektuar dhe të qetë, që përballet me një prani misterioze që sfidon çdo logjikë dhe e trondit në thellësi të shpirtit.
“5 fytyrat e heshtjes” është shfaqja që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “K.Spahivogli” këtë të hënë dhe të martë, më 18 dhe 19 nëntor në orën 19:00. Shfaqja vjen në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore
“Rebelimi ndaj institucionit arkivues si shuarje e kujtesës kolektive” është debati publik që do të mbahet më 19 nëntor në orën 18:00, në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës. Debati vjen si pjesë e iniciativës së pasurimit të arkivave në zbatim të gjetjeve të kërkimit shkencor për arkivat teatrorë në Shqipëri.
Pianistja italiane Silvia Belfiore mban masterclass te “Universiteti i Arteve” në Tiranë këtë të hënë, më 18 nëntor, për të vijuar edhe të martën dhe deri më 22 nëntor, në orën 10:00 të paradites.
Takimi i rradhës i serisë “Zërat e Kulturës” ka në qendër baletin dhe kërcimin. Ai do të mbahet më 19 nëntor në orën 10:00 në Shkollën e Baletit dhe do të bëjë bashkë artistë, koreografë, balerinë dhe profesionistë të skenës.
“Terezitje” është shfaqja që do të shfaqet më 19 nëntor në orën 19:00 në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës. Shfaqja është pjesë e Festivalit “Hapat” dhe nismës “Fondi i Teatrit për të Rinj”.
“1 kg shegë” është shfaqja teatrore që do të ngjitet në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër më 19 dhe 20 nëntor në orën 19:00. Me regji nga Gerti Palali shfaqja është pjesë e produksionit të fondit të teatrit për të rinj.