‘Vizatime 2021-2024” titullohet ekspozita e piktorit Gazmend Leka, e cila çelet këtë të enjte në orën 11:30 në galerinë e Artit “Vilson Kilica” në Fier. Ekspozita vjen e kuruar nga Ermir Hoxha dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 nëntor.
“Imazhe digjitale” është vepra me autor Nestor Krajën, që vjen premierë më 8 nëntor në orën 17:00 në sallën e Universitetit të Arteve. Në vepër paraqiten dy tema kryesore dhe një episod i zgjeruar, të cilët tentojnë të krijojnë dramën e kohës. Tema e parë energjike, e vrullshme, kornizohet nga një material i përbërë nga katër akorde të quajtura “Tablotë digjitale” dhe i lë vendin temës së dytë, lirike, elegante, personifikim i dashurisë njerëzore, jetës së vërtetë dhe të bukur plot shqetësime të ëmbla.
“Vajza dhe Mure” është seria e radhës e GIZTalks, ku Elga Mitre dhe Alesia Xhemalaj do të prezantojnë instalacionin artistik dhe rrëfime personale, me në qendër gruan. Projekti artistik ka në fokus të drejtat e grave, stereotipet dhe barrierat, dhunën me bazë gjinore dhe fuqinë më të madhe të gruas, fuqinë e dashurisë. Aktiviteti do të zhvillohet më 8 nëntor në orën 14:30 në mjediset e GIZ Albania.
Një ekspozitë dhe ëorkshop i letërsisë dygjuhëshe, që thekson rëndësinë e përkthimit letrar dhe transkriptimit në lidhjet ndërkulturore mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të mbahet më 8 nëntor në orën 11:00-13:00 në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë. Ky aktivitet vjen në kuadër të Javës Kulturore Malazeze.
“Një tigër në shtëpi” titullohet shfaqja për fëmijë, që do të vijë më 8,9 dhe 10 nëntor në 10:30 në skenën e Teatrit Eksperimental në Tiranë. Shfaqja ka në qendër një tigër vegjetarin, që në një ditë të zakonshme kërkon të hyjë në një shtëpi, ku ndodhet një mama me vajzën e saj të vogël.
“Narracioni dhe vizualja në ndërtimin e kujtesës në qytet” titullohet konferenca, që do të mbahet më 8 dhe 9 nëntor në orën 10:00 në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër.