“Udha – Një gjak, një gjuhë, një besë” është dokumentari nga Alessandro Ferrantelli që do të shfaqet mbrëmjen e kësaj të enjteje më 21 nëntor në orën 19:00 në kinema “Millenium”. Dokumentari serial me protagonistë Lorik Cana e Arbër Agalliu shoqëron publikun në zbulimin e Arbërisë siçiliane dhe kalabreze. Aktiviteti organizohet nga Instituti Italian i Kulturës dhe Fondacioni LC5.
Më 21 Nëntor, në Ditën Kombëtare Kundër Bullizmit, në kinemanë “Maks Velo”, në orën 17:00 do të shfaqet filmi i shkurtër “Ftesa”. Filmi trajton ndikimin e bullizmit dhe rëndësinë e mbështetjes për të rinjtë.
Dokumentarët “Rrënjë, Revoltë, Zgjim” nga “Citizens Channel” shfaqen premierë mbrëmjen e 21 nëntorit në orën 18:00 në Qendrën e Artit “Agimi”. Tre episodet i japin zë historive të grave shqiptare që, mes dhimbjes dhe guximit, shndërrojnë frikën në forcë dhe shpërfilljen në përballje.
“Ëndërr në papafingo” është shfaqja teatrore, premierë në teatrin “Bylis” në Fier më 21 dhe 22 nëntor në orën 18.00. Shfaqja vjen me regji dhe skenar nga Leka Bungo.
“Gratë që krijojnë” është tryeza që do të mbahet në “Berk Botime” në Tiranë më 21 nëntor në orën 18:00. Të pranishmit do të diskutojnë mbi sipërmarrjen në industritë kreative dhe rëndësinë e të qenit i përfaqësuar.