Gjykata Kushtetuese

Opinion

Gurali Brahimllari: Një vendim i diskutueshëm i Gjykatës Kushtetuese dhe çështja Riley k. Kalifornisë (2014)

31 Korrik, 22:15| Përditesimi: 31 Korrik, 22:18

  • Share

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me sekuestrimin e telefonave celular ngjalli interesim të shtuar, jo vetëm për profesionistët e ligjit por edhe për opinionin publik.  Edhe pse nuk u ndal në cilësitë e telefonit celular të sekuestruar, Gjykata, duke evidentuar “sekuestrimin” e  mesazheve të shkëmbyera,  konkludoi se “..mbrojtja kushtetuese e nenit 36 të Kushtetutës është e garantuar për korrespondencën, pavarësisht karakteristikave të mjetit me të cilin ajo realizohet për qëllime të transmetimit të mendimit”. Me këtë Vendim Gjykata Kushtetuese ka sfiduar me “përmbysje”, jo vetëm praktikën e deritashme të SPAK, por edhe qëndrimin e Gjykatave të Posaçme e më gjerë,  që kanë cilësuar aparatet e telefonisë celulare si SENDE të zakonëshme që sipas neneve 208, 300 dhe 301  të K.Pr.Penale,  mund të sekuestrohen, kqyren dhe ekzaminohen, nga Porkuroria, madje edhe nga Policia Gjyqësore (apo BKH) edhe me iniciativë.

Por në konkluzionet e publikuara dhe “urdhërimet”  e këtij vendimi del se Gjykata Kushtetuese edhe pse pranon se sekuestrimi është bërë në shkelje të drejtat kushtuese që garatohen prej  nenet 35 dhe  36 të Kushtetutes, (në lidhje me mbrojtjene të dhënave perosnale dhe  fshehtësinë e korespondecës dhe çdo mjeti tjetër komunikimi) nuk ka vendosur kthimin e aparatit celular ankueses,  znj O.Y,.  Madje, duke lejuar përdorimin e të dhënave të marra në telefonin e saj (të znj O.Y), për rastin që ka qenë në hetim apo gjykim,  Gjykata Kushtetuese,  në mënyrë të paqartë e kontradiktore disponuar  edhe “ Urdhërimin e zbatimit të garancive procedurale të parashikuara në arsyetimin e këtij vendimi për vijimin e mbajtjes në sekuestro të celularit si pajisje/send që mban korrespondencë dhe të dhëna personale.

Ngarkimin e Prokurorisë së Posaçme për ekzekutimin e vendimit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij”  Për më tepër vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në kudnërshtim me funksionet e saj ka kufizuar të drejtata kushtetuese të qytetarëve të prekur nga sekuetsrimi i aparateve telefonik (të pandehur, persona nën hetim apo edhe persona të trete pa asnjë lidhje me vepren penale të kryer)  përderisa ka sanksionuar se “ky vendim nuk ka fuqi prapavepruese ndaj çështjeve të ngjashme të sekuestrimit..” !!??

Prandaj në tërësinë e tij, ndryshe nda sa pritej apo edhe është perceptuar nga opinion publik ( me përjashtim të z. M Baze në një editorial të gazetës TEMA),  ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, duke u përqëndruar vetëm tek e drejta e fshehtësisë së korespondencës, mbetet një vendim i paplotë,  jo shterues.  Madje,  duke konfirmuar përsëri qasjen e saj për të dhënë vendime “as mish e as peshk”, Gjykata Kushtetuese, jo vetëm  ka dhën një vendim kontradiktor dhe të paqartë, por edhe  ka neglizhuar aplikimin e nenin 32 të Kushtetutës që nuk lejon përdorimin e provave të mbledhura në mënyrë të paligjëshme.

Për më tepër,  ndryshe nga sa është perceptuar në publik,  pritej që Gjykata Kushtetuese të zgjidhte dilemën që po diskutohet gjithnjë e më shpesh në seanca gjqyësore dhe jo vetëm:        

Çfarë përfaqësojnë sot aparatete e telefonisë celularë dhe cili është tagri i organeve ligjzbatuese për sekuestrimin e tyre?

Kujtojmë se  për shkak të gamës së shërbimeve që ofrojnë për “pronarin” dhe kompleksitetin e të dhënave nga më sensitive që mbartin, so aparatete e telefonsisë mobile, quhen rëndom edhe “telefona inteligjentë”.  Tashmë është fakt i pranuar edhe nga shtetet me sistemet penale të avancuara, se teknologjia dixhitale, në përgjithësi dhe përmbajtja e telefonave inteligjentë, në veçanti, ka sfiduar kornizat ligjore të periudhës së disa dekadave më parë  duke i vënë në vështirësi edhe autoritet ligjzbatuese të këtyre  shteteve

Prandaj, në dallim thelbësor nga praktika e Prokurorisë dhe gjykatave tona, që i konsideron aparatet celularë si “Sende”,  jurisprudenca e GJED, GJEDNJ ka evoluar duke kushtëzuar sekuestrimin, kqyrjen dhe ekzaminimin e tyre, në cilësinë e  “të dhënave kompjuterike”    të parashikuara nga Konventa “Për krimet në fushen e kibernetikës”.   Për shkak se mund të ruajnë dhjetëra gigabajt informacione private, këto të dhëna komplekse dhe shumë sensitive,  që mbartin telefonat celular, tejkalojnë  konceptin e “sekuestrimit të korrespondecës” dhe të ruajtjes së fshehtësisë së saj të shtjelluar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e sipërcituar .  Në të kundërt, ndryshimet e vitit 2008 në ligjin procedurial penal, (nenet 208/a; 299/a dhe 299/b të K.Pr.Penale), në lidhje me sekuestrimin e të dhënat kompjuterike, ruajtjen e përshpejtuar dhe mirëmbajtjen e tyre  apo për zbulimin e pjesëshëm të të dhënave kompjuterike, janë neglizhuar nga praktika gjyqësore edhe pse ato reflektojnë  pikërisht parimet e Konvetës “për krimin në fushën e kibernetikës”, (e ratifikuar me ligji nr. 8888, datë 25.4.2002),

Në këto kushte është koha për reflektim nga të gjitha autoriotetet ligjzbatuese në vendin tone (përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese), që të vemnë në diskutim dhe të përqafojnë jurisprudencën më të përparuar ndërkombëtyare që, prej kohësh, ka konsideruar aparatet celular si “kompjuterëve shumëfunksionalë që rastësisht kanë aftësi telefonike”.  

Mjafton të kujtojmë se, Jurisprudenca e  Gjykatës Supreme të SHBA-së, në vendimin e famshëm  Riley v. Kalifornisë (2014), e ka zgjidhur  këtë problematike,  duke i dhënë përgjigje pyetjes:

A mundet  policia, pa urdhër/autorizim të gjykatës, të kërkojë informacion dixhital në një telefon celular të sekuestruar një individi të arrestuar?  

Gjykata Supreme ka konsideruar të papërdorshme të dhënat e nxjerra nga telefoni celular të sekustruar gjatë kontrollit në “xhepat” e të arrestuarit, në mungesë të lëshimit nga Gjykata të urdhërit të arrestit.  Përfundimet e Gjykatës Supreme  të SHBA, janë rrjedhojë, jo vetëm e analizës së precedentëve  të rasteve të epokës paradigitale, por edhe të hulumtimeve të thella që ka bërë në vitin 2014, në lidhje me  karakteristikat e telefonit celular, ku  ka konkluduar se: “…   ndryshojnë si në kuptimin sasior ashtu edhe në atë cilësor nga objektet e tjera që mund të mbahen në personin e një të arrestuari. Termi "celular" është në vetvete stenografi mashtruese; Shumë nga këto pajisje janë në fakt minikompjuterë që kanë edhe kapacitetin për t'u përdorur si telefon. Ndërsa ato mund të quhen po aq lehtë kamera, video player, rolodexes, kalendarë, magnetofon, biblioteka, ditarë, albume, televizorë, harta ose gazeta.     

Duke krahësuar situatën e ndërhyrjes policore para disa dekadave, Gjykata thekson se “Përpara telefonave celularë, një kontroll i një personi kufizohej nga realitetet fizike dhe tentonte si një çështje e përgjithshme të përbënte vetëm një ndërhyrje të ngushtë në privatësi. Ndërsa aktualisht, “Shumica e njerëzve nuk mund të mbajnë me vete çdo letër që kanë marrë gjatë disa muajve të fundit, çdo fotografi që kanë bërë, ose çdo libër apo artikull që kanë lexuar - as nuk do të kishin ndonjë arsye për ta bërë këtë. Dhe nëse do ta bënin, do t'u duhej të tërhiqnin pas vetes një valixhe …, në vend të një sendi (ene) me madhësinë e një pakete cigaresh .. Edhe telefonat më bazë që shiten për më pak se 20 dollarë mund të mbajnë fotografi, mesazhe me fotografi, mesazhe me tekst, historikun e shfletimit të internetit, një kalendar, një libër telefonash me një mijë hyrje e kështu me radhë

Në vijim prezantojmë për lexuesin disa nga detaje e kësaj çështje me qëllim që të krahësohet me çështjen e shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe të vlerësohet vendimi i dhënë prej saj.

Në rastin e parë, ankuese D.Riley u ndalua nga një oficer policie për drejtim mjeti me targa të skaduara, ndërsa më pas oficeri mësoi se edhe leja e drejtimit të mjetit ishte pezulluar. Një oficer kontrolloi Riley-in  dhe gjeti sende që lidheshin me bandën e rrugës "Bloods". Ai gjithashtu sekuestroi një celular nga xhepi i pantallonave të Rileyt. Oficeri aksesoi informacionin në telefon dhe vuri re se disa fjalë (me sa duket në mesazhe me tekst ose në një listë kontaktesh) parapriheshin nga shkronjat "CK" - një etiketë që ai besonte, qëndronte për "Crip Killers", një term zhargon për anëtarët e bandës Bloods. Policia gjeti video të të rinjve që grindeshin si edhe fotografi të Riley-t duke qëndruar përpara një makine që dyshohej se ishte përfshirë në një të shtënë disa javë më parë.  Para gjyqit, Riley kërkoi të përjashtoheshin të gjitha provat që policia kishte marrë nga telefoni i tij celular duke pretenduar se kontrollet e telefonit  shkelnin Amendamentin e Katërt, sepse ato ishin kryer pa urdhër gjykate dhe nuk justifikoheshin ndryshe nga rrethana urgjente. Gjykata e shkallës së parë e hodhi poshtë këtë argument dhe Riley u dënua për të tre akuzat dhe mori një dënim të shtuar prej 15 vjetësh .. Gjykata e Apelit e Kalifornisë konfirmoi vendimin ndërsa  Gjykata e Lartë e Kalifornisë e hodhi poshtë kërkesën e Riley-t për shqyrtimin e çështjes.

Në rastin e dytë, një oficer policie që kryente mbikëqyrje rutinë vuri re se shtetësja B. Ëurie bënte një shitje të dukshme droge nga një makinë, prandaj e arrestuan dhe e çuan në stacionin e policisë. Këtu i gjetën dhe sekuestruan dy telefona celularë,  njeri prej te cileve, po merrte vazhdimisht thirrje nga një burim i identifikuar,  në ekranin e jashtëm të telefonit, si "shtëpia ime". Policët e hapën telefonin dhe arritën të idetifikonin adresën nga telefonohej dhe  morën një urdhër kontrolli. Gjatë ekzekutimit gjetën dhe sekuestruan 215 gramë kokainë të fortë, marihuanë, pajisje për drogë, një armë zjarri dhe municione, si dhe para në cash”.  Ëurie u akuzua për shpërndarje të kokainës së fortë, posedim të kokainës së fortë me qëllim shpërndarjeje dhe për posedimin e një arme zjarri dhe municionesh. Ankuesja kërkoi të përjashtoheshin provat e marra nga kontrolli i apartamentit, duke argumentuar se ato ishin fryt i një kontrolli jokushtetues të telefonit të tij celular. Gjykata e Qarkut e hodhi poshtë kërkesën. Ëurie u dënua për të tre akuzat me 262 muaj burg, ndërsa Gjykata e Apelit anuloi dënimet e Ëurie  sepse : vendosi që telefonat celularë janë të ndryshëm nga sendet e tjera fizike që mund të kontrollohen menjëherë për arrestim pa urdhër, për shkak të sasisë së të dhënave personale që përmbajnë telefonat celularë dhe kërcënimit të papërfillshëm që ato paraqesin për interesat e zbatimit të ligjit

Pas parashtrimit të çështjes para Gjykatës  Supreme të SHBA-së, vendimi i dhënë kundër  Riley-it u shfuqizua,  ndërsa vendimin për Ëurie u konfirmua duke konkluduar se “Policia në përgjithësi nuk mundet, pa një urdhër arresti, të kërkojë informacion dixhital në një telefon celular të sekuestruar nga një individ i arrestuar.”  Për të arritur në këtë përfundim Gjykata Supreme Amerikane  ka dhënë definicione  shumë të rëndësishme në lidhje të dhënat që ruhen në aparatet celularë, duke bërë dallimin mes  të dhënave që përftoheshin nga sekuestrimi i sendeve në periudhën  para – dixhitale.  Gjykata vuri në dukje se “një dekadë më parë, oficerët e policisë që kontrollonin një të arrestuar mund të kishin hasur herë pas here një send shumë personal, siç është një ditar. Edhe pse të dhënat e ruajtura në një telefon celular dallohen nga të dhënat fizike vetëm nga sasia, lloje të caktuara të të dhënave janë gjithashtu cilësisht të ndryshme.

 Sipas Gjykatës Supreme “Një histori kërkimi dhe shfletimi në internet, për shembull, mund të gjendet në një telefon të lidhur me internetin dhe mund të zbulojë interesat ose shqetësimet private të një individi - ndoshta një kërkim për simptoma të caktuara të sëmundjes, të shoqëruara me vizita të shpeshta në ËebMD. Të dhënat në një telefon celular mund të zbulojnë gjithashtu se ku ka qenë një person. Informacioni historik i vendndodhjes është një veçori standarde në shumë telefona inteligjentë dhe mund të rindërtojë lëvizjet specifike të dikujt deri në minutë, jo vetëm nëpër qytet, por edhe brenda një ndërtese të caktuar.

Del se Gjykata Supreme ka analizuar disa precedent, një prej të cilëve (viti 1926) lidhej me dallimin mes kontrollit të “xhepave” së një të dyshuari dhe kontrollit të banesës së tij,  duke mbrojtur nga kontrolli arbitrar vetëm banesën.  Por Gjykata Supreme  në rastin kur aktualisht në  “xhepat e të dyshuarit gjenden dhe sekesutrohet  një telefon cellular, arrin në një përfudim krej të kundërt sepse “një kontroll telefoni celular zakonisht do t'i ekspozonte qeverisë shumë më tepër sesa kontrolli më i plotë i një shtëpie”… sepse ato mund të gjenden dhe ruhen vetëm në  një telefon cellular inteligjent. Duke vënë në diskutim pretendimin e qeverisë se, për të pranuar kërkimin nga Polciia të    skedarëve të  aksesuar nga distanca nepërmjet çkodimit, Gjykata Supreme e ka gjetur të pabazuar me arsyetimin se “Një kërkim i tillë do të ishte si të gjeje një çelës në xhepin e një të dyshuari dhe të argumentosh se kjo i lejoi autoritet të zbatimit të ligjit të zhbllokonte dhe të kontrollonte një shtëpi.  

Gjithsesi, Gjykata Supreme e SHBA-së ka theksuar se “Nuk mund ta mohojmë se vendimi ynë i sotëm do të ketë ndikim në aftësinë e zbatimit të ligjit për të luftuar krimin…..Por për këto rrethana përjashtuese, urgjente, Gjykata Supreme përcaktoi se  kërkohet që të jetë një gjykatë të shqyrtojë nëse një emergjencë justifikoi një kontroll pa urdhër në secilin rast të veçantë.

Sipas Gjykatës “Telefonat celularë modernë .. për shumë amerikanë mbajnë "privatësinë e jetës".  Fakti që teknologjia tani i lejon një individi të mbajë në dorë informacione të tilla nuk e bën informacionin më pak të denjë për mbrojtjen për të cilën luftuan Themeluesit.

Prandaj Gjykata duke konkluduar se : Përgjigja jonë për pyetjen se çfarë duhet të bëjë policia para se të kontrollojë një celular të sekuestruar që çon në një arrestim është në përputhje me rrethanat e thjeshta - të marrë një urdhër arresti (nga gjykata); ka “përmbysur” vendimin e Gjykatës së Apelit të Kalifornisë në çështjen Riley dhe e ka kthyer çështjen për procedura të mëtejshme, ndërsa, ka konfirmuar  vendimin e Qarkut të Parë në çështjen Ëurie (nr. 13–212)

Theksojmë se Gjykata Supreme e SHBA as nuk mund të imagjinonte se nga Policia amerikane mund të ishte sekuestruar telefoni celular një përsoni që nuk kishte lidhje me veprën penale  apo që mund të pyetej vetëm si dëshmitar (si znj O.Y), por ka vlerësuar të paligjshëm edhe sekuestrimin e telefonit celular të të dyshuarit gjatë arrestimit të tij, duke i konsideruar të papërdorëshme rezultte e kqyrjes dhe ekzaminimit të të dhënave të tij.   Prandaj ky standart pritej që të ishte vënë në diskutim nga Gjykata Kushtetuese, por vendimi i dhënë prej saj është  zhgënjyes,  jo vetëm sepse nuk e zgjidhi çështjen e sekuestrimit të telefonave inteligjentë dhe të të dhënave  sensitive e komplekse që ata mbajnë, por edhe sepse,  për sa është shprehur në mbrojtje të korrespondencës,  vendimi i dhënë prej saj, nuk ka fuqi prapavepruese, do të ndikojë negativisht për thellimin e shkeljeve të ët drejtave kushtetuese të shtetasve nga marrja, ekzaminimit, printimi dhe shpërndarja, (qoftë edhe në procese gjyqësore të të dhënave shume sensitive të shtetasve, që kapërcejnë konceptet e mbrojhtjes së fshehtësisë së korrespondencës.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?