Si flitej shqip në Srebrenicën e Mesjetës, si harrohet shqip në një roman bullgar e në një realitet kosovar, dhe si do të udhëtojë më tutje Guri i Nanës Pashkë
“Qeno” i thoshin këlyshit, “balë” deles së bardhë me njolla të zeza në kokë apo asaj të zezës me të bardha në kokë, “kalac” a “kalqe” kalit e “rrusha” verës, falë fjalës prej së cilës bëhet vera.
gjuha e tyre sekrete. Ata ishin mjeshtër ndërtimi, dhe legjenda thotë se këtë gjuhë e përdorën që të mos kuptohen prej popujve të tjerë, shtëpitë e kishat e të cilëve i ndërtonin. Pos legjendës, për ta dhe gjuhën e tyre fillimisht u interesua etnologu serb Jevto Dedijer në bredhjen e tij nëpër Hercegovinë në fund të shekullit XIX, duke konstatuar se “nëpër Drinë kanë arritur disa fjalë arbanase dhe janë mbajtur aty në gjuhën sekrete, të ashtuquajtur banallaqki” (sipas historianit Vladimir Qoroviq). Nja njëqind vjet më vonë, në “Fjalorin etimologjik të gjuhës kroate apo serbe” të autorit Petar Skok , botim i Akademisë jugosllave të Shkencave dhe Arteve të vitit 1971, do të konstatohet se “banallaqki” vjen prej “gjuhës sekrete të muratorëve”. “Meqë këta muratorë prej materialit gjuhësor shqip krijojnë gjuhën e tyre sekrete, duke shtuar sufikse tona, është e sigurt”, thotë Etimologjia, se banallaqki rrjedh prej ban (banoj, jetoj) dhe sufiksit sllav “llac”. Në të folmen e sotme, i bie që “banallac” të ketë qenë “bërësi i banesës”, pra ndërtimtari.
e tëra kjo do të ishte edhe një prej kurioziteteve sociolinguistike po të mos bëhej fjalë për një vend të ndjeshëm të Evropës dhe për një fenomen të ndjeshëm evropian. Muratorët e parë të “gjuhës sekrete” ishin banorë të rrethit të Srebrenicës që nga Mesjeta, shënon historiani Tatomir Vukanoviq në historinë e tij të Srebrenicës , botuar në Sarajevë më 1946. “Në Srebrenicë ka pasur herë pas here arbanas që jetonin rreth lumit Drina dhe përdornin gjuhën e fshehtë banallaqki”.
Në shekullin XXI ky vend do të njihej si vendi i masakrës më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas masakrës, do të njihet si vendi ku ende vazhdon lufta për kujtesë: një pjesë e ligjërimit publik serb mohon gjenocidin, një pjesë e ligjërimit publik boshnjak (dhe ndërkombëtar) përpiqet ta ruajë kujtesën për gjenocid.
Më 2019, nga ky qytet, kryetari i të cilit mohon gjenocidin, doli kërkesa që “banallaqki” (apo “banjaqki”, siç emërtohet sot) të njihet si një trashëgimi jomateriale e UNESCO-s. Iniciativa rrodhi prej njerëzve që kanë emra e mbiemra serbë, ata të rrallët që dinë si të flasin sot “banallaqki”. Shpjegimi i tyre është se kjo gjuhë lindi prej nevojës (dëshirës)së muratorëve që të ruajnë fshehtësitë prej kontraktorëve të punëve.
Në shekullin e tyre XXI duket sikur bëhet përpjekje që çdo gjë e ndërlikuar të harrohet: faktit se verës dikur i thuhej rrusha e bukës buke; faktit se mbi tetë mijë burra e fëmijë janë ekzekutuar brenda disa ditëve të korrikut të vitit 1995.
2.
Është një gur që ka gjuhë të veten sekrete.
Javën e kaluar foli Guri i Nanës Pashkë. Qe vendosur si rrëfim në arën ku Nana Pashkë dogji veten pasi u spërkat me një bidon benzine më 2003. E kërkoi këtë vdekje, sepse nuk e deshi jetën pa dy djemtë e vrarë më 1999 e të kthyer si eshtra dhe copa rrobash të djegura. Dy djemtë u vranë, sepse atë ditë në Rekë të Keqe ndodhte “Operacioni Reka” dhe merreshin nga kolona e shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre burra e djem e pushkatoheshin, herë afër një përroi, herë në ndonjë livadh, herë përtej ndonjë ure- ishte një mekanizëm joceremonial dërgimi në vdekje i varganit të meshkujve shqiptarë, të ndarë prej një rreshti të gjatë që qe dërguar në drejtim të panjohur, por të premtuar si jetë.
Guri i saj në arë duhej të fliste për vetëflijimin e saj. Pas shumë vjetësh pronari i arës vendosi që guri të mos fliste në arën e tij. E largoi me një mjet të madh mekanik dhe e vuri në pronë publike, në një deponi mbeturinash. Guri që duhej të fliste për vetëflijimin tregoi se ara është pronë personale dhe se edhe vetëflijimi qe personal, çdonjëri me vlerën e vet.
Guri prej aty u mor dhe tash rri në varrezat memoriale të Mejës. Aty janë të vrarët në masakrën e asaj dite. Mbase tash Guri i Nanës Pashkë është duke folur për përkohshmërinë e qëndrimit aty. Të vrarët në Mejë, në varrezat e tyre, janë rrëfime më vete – çdo njëri i ndarë atë ditë dhe pushkatuar, çdo njëri një libër historie të tërë. Ndërkaq, Guri i Nanës Pashkë ka datë tjetër, është libër që fillon ditën kur u pushkatuan viktimat e Mejës. Atë ditë Pashkë Marku u dërgua në rrugë për në Shqipëri e djemtë e saj në rrugë për në vdekje. Deri më 2003 ajo besoi se ndoshta rrugës për në vdekje mund të ketë dalë ndonjë rrugë e ndërmjetme. Më 2003, në Rahovec kuptoi se nuk u gjet një e tillë e ndërmjetme, të ndërmjetme mes vdekjes së dëgjuar nga rrebeshe automatikësh e rrëfime të llahtarshme të mbijetuarish dhe jetës së shpresuar të dalë nga ndonjë mrekulli .
Prej vitit 1999 deri më sot, edhe 1600 familjarë kanë mbetur ende pa njohuri për të afërmit e tyre të zhdukur në luftë. Janë shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë[- janë të përbërë prej dhimbjes së njëjtë si Nana Pashkë. Janë të dhimbjes së njëjtë si edhe ata familjarë, mijëra sish, që kanë zbuluar fatin e të afërmve të tyre të zhdukur. Janë të po asaj dhimbjeje që shpon tejpërtej fibrës së humanitetit kur zbulon fundin e një jete nën tendat e copave të trupit e të veshmbathjes. Të asaj dhimbjeje kur momenti ndarës mes jetës dhe vdekjes ishin ato atlete me baltë, xhemperi i leshtë blu apo xhaketa sportive e marrë me të shpejtë, ngase e tërë familja kishte vetëm pesë minuta kohë për të dalë prej shtëpisë.
Dhe Guri i Nanës Pashkë ndoshta mund ta vazhdojë rrugën e vet drejt Qendrës së Prishtinës. Aty, le të flasë me gjuhën e saj sekrete, sepse vetëflijimi i saj nuk është vetëm i saji. Zjarri e ka marrë atë dhe e ka afruar me djemtë e saj, por ka marrë edhe diçka prej nesh, prej të gjithë ne që nuk i rezistojmë tundimit të harresës. Ara mund të jetë pronë private, shtëpia mund të jetë pronë private, varrezat mund të jenë pronë e një komuniteti, fshati a qyteti, por Guri i Nanës Pashkë është i të gjithëve, është ajo pikë shpimi në anën tjetër të humanitetit që e kemi përjetuar çdo njëri prej nesh në formën e vet dhe që nuk duhet t’ia lëmë harresës.
3.
Kur pronari i arës tha se ara ishte e tij dhe se nuk do ta lejonte më gurin, shkroi shkurtimisht një metaforë për një shoqëri, apo që të gjitha shoqëritë e pasluftërave. Shkroi një përjetim që ndjeu gjenerata ime, kur një çerek shekulli pas Luftës së Dytë Botërore qe e ngopur më me rrëfime për luftën. Kjo metaforë thotë, mjaft më me luftën, të shikojmë përpara, të jetojmë.
Ana tjetër e kësaj metafore ishte se rrëfimet për luftën duhet të arrijnë një fund të vetin, të Paqes. Në të kundërtën, arrijnë të bëhen luftë sërish. Gjenerata ime, që tha “kjo puna e luftës u bo bajat mo” arriti ta përjetojë vetë luftën, apo disa luftëra në ish-Jugosllavi.
Ekziston në natyrën e njeriut nevoja që ta tejkalojë luftën. Njëra mënyrë është me harresë. Në Spanjë, bile, i është gjetur edhe formulimi “amnezi kolektive” apo “amnezi vullnetare”- që të dyja terminet përshkruajnë një vendim të vetëdijshëm të forcave politike pas vdekjes së diktatorit Franko që të mos gërmohet shumë historia e Luftës Qytetare 1936-1939, për hir të transicionit në demokraci.
Mënyra tjetër është të folurit për luftën. Për një çerekshekull kemi folur, dhe ende flasim për luftën si një e arritur, si një vlerë. Nuk kemi folur dhe nuk flasim për luftën si një mallkim, një që çoi djemtë e Pashkë Markut në vdekje, ndërsa atë e shndërroi në Gur.
4.
Dostojevski shkroi se nëse nuk ka Zot, atëherë çdo gjë është e lejuar. Atë ditë në Mejë dhe shumë ditë të tjera si në Mejë nuk kishte Zot.
Georgi Gospodinov, shkrimtar bullgar, në romanin “Strehimorja e kohës”, fitues i çmimit “Man Booker” 2023, një shtjellim brilant mbi kujtesën individuale e kolektive, shkruan:
-“Nëse nuk mban mend kush kjo është e barasvlefshme me Nëse nuk ka Zot. Nëse nuk ka Zot, tha Dostojevski, atëherë çdo gjë është e lejuar. Zoti atëherë do të del të jetë kurrgjë tjetër pos një kujtesë e madhe. Një kujtesë mëkatesh…Një Zot harrestar, një Zot me Alzheimer do të na çlironte nga të gjitha obligimet. S’ka kujtesë, s’ka krim”.