‘Gusht i nxehtë’ Pulla paralajmëron: Kujdes me firmosjen e kontratave nën tavolinë! / Sfida e të papritura përgjatë muajit për..

26 Korrik, 15:51| Përditesimi: 26 Korrik, 15:58

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte astrologu i njohur Jorgo Pulla i cili bëri parashikimin e horoskopit për muajin Gusht. Sipas Jorgo Pullës pritet që kjo verë të jetë e nxehtë si në temperatura dhe në gjërat që pritet të ndodhin për 12 shenjat e zodiakut. Përgjatë këtij muaji vëmendja dhe kujdesi më i madh do të shkojë tek të gjithë ata që planifikojnë të lidhin kontrata të rëndësishme. “Mos pranoni marrëveshje nën tavolinë” thekson Pulla, pasi do kemi lajme të mëdha dhe shumë zhvillime, sfida dhe të papritura përgjatë muajit Gusht. “Mendo, shiko, vendos’ është moto e këtij muaji të nxehtë, ku kemi dhe dy ndikime të forta planetare, Hënën e re dhe Mërkurin në retrogradë. Gjithashtu duhet thënë se muaji Gusht do të jetë paksa i vështirë për disa shenja të zodiakut dhe në fushën e dashurisë.

Dashi

Kanë një mundësi të mirë me disa çështje që lidhen me anën ekonomike-financiare dhe me disa ndryshime të mëdha që lidhen me ekonominë dhe ligjin. Çështje të tjera do të zbulohen në muajin Gusht, ku pritet të ndodhin gjëra të mëdha që kanë vite që nuk ndodhin. Njerëzit që kanë një punë shtetërore, pritet të kenë disa ndryshime. Në çështjet shpirtërore, lidhjet afatgjata duhet të kenë kujdes, sepse shumë fjalë mund të fliten pas krahëve. Duhet të qëndroni larg thashethemeve, pasi ky është një muaj paska i vështirë në fushën e dashurisë. 

Demi

Si shenjë e tokës, Demi ka disa mundësira ideale në fushën e punës. Nga një çështje ekonomike financiare dalin të fituar, sepse duket se gjërat shkojnë në ‘vendin’ e tyre. Në çështje ligjore, kreditimesh apo bankash dalin sërish të fituar. Gushti do të vendosë pikat mbi “i” për Demin, pasi shumë problematika do të marrin zgjidhje.  Demi është në një dilemë pune, sepse e di çfarë dëshiron, por nuk po gjen vendin e duhur ku duhet të shkojë. Ata që gjenden në Gjermani ose Francë kanë një mundësi për një lidhje që kthehet në serioze.

Binjakët

Binjakët e 10-të ditëshit të tretë duhet të kenë kujdes nga ligji. Motoja për të gjithë Binjakët për muajin Gusht është: “Eci avash sepse nxitoj” dhe “Flas pak që të dëgjoj shumë”. Koha më e mirë në lidhje me pjesën emocionale është pikërisht tani! Mund të shtyjnë një udhëtim që do bëjnë, por kjo do të jetë në të mirën e tyre dhe jo me pasoja. Në çështjet e zemrës, lidhjet me Virgjëreshë dhe Peshk janë ideale dhe është një lidhje solide pa ndarje.

Gaforrja

Gaforret kanë patur shumë probleme në anën e bankave, çështjet e kreditimeve, por  në muajin Gusht kanë një pikë kthese. Të gjitha padrejtësitë që janë bërë, duket se do të marrin fund dhe çdo gjë do të sqarohet. Kanë një mundësi për burim të dytë të ardhurash dhe mund t’a realizojnë. Në punë janë akuzuar me të padrejtë, por situata sqarohet shumë shpejt. Në çështjet shpirtërore, lidhjet që më parë mund të kenë qënë të shkëputura me Ujor dhe Akrep, janë për familje edhe pse pak problematike. Ato që janë në kërkim të një shtatëzanie, kanë një mundësi tani, pasi Hëna e re do bëjë ‘çudira’.

Luani

Me datën 19 gusht Luani duhet të jetë shumë i kujdesshëm në çështje që kanë të bëjnë me blerje apo shitje pasurie të paluajtshme, rregullime apo ndryshime në shtëpi, pasi për këto blerje duhet parë në 7 breza që të mos humbasin mundësi. Në këtë periudhë për Luanin vëmendja do shkojë tek pasuria dhe stabilizimi i saj. Nga data 15 gusht e në vazhdim, zgjidhet një problem shumë i madh familjar dhe kjo bën që lidhjet solide me Ujor, Akrep dhe Dem të jenë ideale. Ndërsa ata që kanë udhëtime në këtë kohë, do të kenë të bëjnë me Italinë, Greqinë dhe Gjermaninë.

Virgjëresha

Edhe pse Virgjëreshat kanë shumë mundësi lëvizje dhe për pushime, vjen një moment që do t’i shtyjnë pushimet e tyre, pasi presin një çëshje pune shumë të rëndësishme. Kjo mund të ndodhë me datën 5, 8 dhe 19 të muajit gusht. Kjo gjë sigurisht që do të ndodhë për mirë. Në fushën shpirtërore lidhjet më solide janë me Ujorët dhe Binjakët me të cilët tregojnë një stabilitet të mirë emocional.

Peshorja

Gushti do i japë shumë Peshores, pasi zgjidh një problem ligjor, një padrejtësi që kishte më shumë se 5 vite që po e vuante. Në çështjet e pasurive të paluajtshme janë shumë të fituar. Kanë kaluar disa thashetheme, por duket se gjërat qartësohen shumë shpejt, ndaj Peshorja do duhet të renditej në vendin e parë në këtë muaj. Peshoret kanë dy ndikime pozitive nga Afërdita dhe Jupiteri. Në çështjet shpirtërore, lidhjet që kanë të bëjnë me Gaforre dhe Ujor, janë perfekte.

Akrepi

Edhe pse në këtë periudhë kanë një mundësi shumë të mirë në ekonomi, duhet të kenë kujdes, sidomos nësë kanë çështje kontratash, pasi nuk është koha e përshtashme në lidhje me kontratat që bëjnë tani dhe rekomandohet që të shtyjnë çdo takim pune. Akrepët i paraprijnë problemeve. Në çështjet që kanë të bëjnë me anën shpirtërore lidhjet me Dash dhe Luan janë shumë të favorshme.

Shigjetari

Kanë shumë shpenzime Shigjetarët, por as kanë as u mbarohet, pasi gjejnë një balancë shumë të mirë. Do kenë çështje që kanë të bëjnë me blerje dhe pasuri të paluajtshme. Gjithashtu do u jepet mundësia në fushën e biznesit që të përparojnë. Pas datës 15 gusht presin mundësi të reja ku do të marrin vendime të rëndësishme. Lidhjet më të mira janë me Peshore dhe Virgjëreshë.

Bricjapi

Kanë disa muaj që nuk ndihen komod me punën e tyre, pasi nuk janë paguar mjaftueshëm dhe janë në kërkim të diçkaje tjetër. Me shumë mundësi do të lëvizin nga vendi i punës që janë edhe pse janë në vende kyçe. Duhet të jenë shumë të vëmendshëm në datat: 5, 11, 24 dhe 30 gusht ndaj duhet të kenë kujdes të mos nxitohen. Në çështjet shpirtërore, lidhjet më të mira janë me Peshk, Peshore, Virgjëreshë dhe Shigjetar.

Ujori

Ndikohen shumë në çështjet e udhëtimeve Ujorët. Do ndryshojnë shumë shpesh destinacion derisa të vendosin se ku duan të shkojnë realisht. 10-të ditëshi i parë është shumë i favorizuar në punë dhe në pushime, ndërsa disa keqkuptime sqarohen gjatë rrugës pa asnjë problem. Një lidhje e thjeshtë duan nuk duan do të kthehet në serioze. Pas datës 15 gusht është një periudhë shumë e mirë dhe kreative për punën dhe dashurinë. Lidhjet më të mira të Ujorëve janë me Peshore, Binjak dhe Shigjetar.

Peshqit

Këtë muaj Peshqit kanë të bëjnë shumë me anën ekonomike dhe një çështje shumë të rëndësishme. Peshqit kthejnë kokën nga e shkuara që të mos bëjnë gabime në të ardhmen. Nuk e thonë kurrë fjalën e fillimit në fund apo të fundit në fillim. Në çështjet shpirtërore, lidhjet afatgjata kanë të bëjnë me Virgjëreshë, Shigjetar dhe në bashkëpunim me Dem dhe me Peshore.

 

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?