Gjykata Europiane e Auditit aktualisht po verifikon mbështetjen ekonomike që BE ka dhënë në Shqipëri për drejtësinë, se sa efikase ka qenë dhe se si janë shpenzuar paratë.
Auditi do të vlerësojë efektivitetin e masave të BE për të mbështetur sundimin e ligjit dhe mbulon katër vende kandidate (Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbia) dhe dy vende të mundshme kandidate (Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova).
Kontrolli do të bazohet te barazia para ligjit, siguria ligjore, ndarja e pushteteve, gjykatat e pavarura dhe të paanshme, procedurat legjislative transparente dhe demokratike dhe shqyrtimi efektiv gjyqësor.
Juhan Parts është përgjegjes për auditin. Për t'u bashkuar me BE, vendet kandidate duhet të demonstrojnë aftësinë e tyre për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE, siç përcaktohet në kritere. E para nga këto kritere ka të bëjë me ekzistencën e institucioneve të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave. Shpejtësia e negociatave të anëtarësimit varet kryesisht nga përparimi i bërë në këtë fushë.